Lajme

“Pelegrinazhi më i madh i Haxhit në histori” fillon në Arabinë Saudite


Pelegrinazhi i Haxhit ka filluar teksa turmat e muslimanëve të veshur me rroba të bardha rrethojnë Qabenë, strukturën kubike në epiqendrën e vendit më të shenjtë të Islamit, lutjet e tyre kumbojnë në ajër.

Pelegrinazhi vjetor filloi të dielën në Mekë të Arabisë Saudite me tavaf, rrethimin e Qabes, në një ngjarje që pritet të thyejë rekordet e pjesëmarrjes.

Kështu shkruan transmetuesi “Al Jazeera”.

Më shumë se 2.5 milionë myslimanë pritet të marrin pjesë, pasi kufizimet e pandemisë së Coronavirus-it në fuqi që nga viti 2020 janë hequr plotësisht.

Atë vit, vetëm 10 mijë njerëz u lejuan të merrnin pjesë, 59 mijë në vitin 2021 dhe vitin e kaluar kishte rreth një milion njerëz.

Të dielën në mbrëmje, pelegrinët do të fillojnë të shkojnë për në Mina, rreth 8 kilometra nga al-Masjid al-Haram i Mekës, ose Xhamia e Madhe.

Kjo, përpara se të mblidhen në malin Arafat, ku besohet se Profeti Muhamed ka dorëzuar predikimin e tij përfundimtar.

Mina është përgatitur për pelegrinët, me furnizime ushqimore dhe forca sigurie të vendosura.

Haxhi i këtij viti është një sfidë, duke u zhvilluar në nxehtësinë gati 45 gradë Celsius, data e pelegrinazhit varet nga kalendari hënor.

Autoritetet saudite thanë se më shumë se 32 mijë punonjës shëndetësorë dhe mijëra ambulanca janë në gatishmëri për të trajtuar rastet e goditjes nga nxehtësia, dehidratimi dhe rraskapitja.

Rituali islam është i detyrueshëm për çdo të rritur musliman të aftë që ka mundësi financiare për të marrë pjesë, duke formuar një nga pesë shtyllat e fesë.

Përvoja sfiduese fizike dhe emocionale ka për qëllim t’i pastrojë ndjekësit nga mëkati dhe t’i afrojë ata me Perëndinë.

Këtë vit, Haxhi mbahet nga data 26 qershor deri më 1 korrik, me festën e Kurban Bajramit më 28 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore