Shqipëria

Pedro Sanchez mbërrin në Kryeministri, mirëpritet me ceremoni


Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka mbërritur në ambientet e Kryeministrisë shqiptare ku dhe është nderuar me ceremoni zyrtare.

Mikpritësi ishte kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili e prezantoi me një pjesë të kabinetit të tij për t’iu drejtuar më pas ambienteve të brendshme të institucionit qeverisës.

Të dy udhëheqësit do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp e parashikuar në orën 11:00.

Sanchez, të premten nisi një turne në Ballkanin Perëndimor me një vizitë në Serbi.

Nga aty ai ofroi mbështetjen e vendit të tij për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

Sanchez zhvilloi bisedime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Zyrtarët e BE-së kohët e fundit janë përpjekur të inkurajojnë qeveritë në rajon që të vazhdojnë me reformat. Kjo mes shqetësimeve mbi përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin e saj në Ballkan.

Zyra e kryeministrit spanjoll tha se do të inkurajojë të gjitha vendet e Ballkanit që të zbatojnë reformat e nevojshme që do t’i lejojnë ata të përshpejtojnë anëtarësimin e tyre në BE.

Po ashtu do t’u përcjellë atyre faktin se mund të mbështeten te Madridi zyrtar gjatë presidencës spanjolle të Bashkimit në gjysmën e dytë të 2023-shit.

Kryeministri synon gjithashtu të tregojë rëndësinë që Spanja i kushton marrëdhënieve dypalëshe politike, ekonomike dhe kulturore me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe mbështetjen për përpjekjet që ata ndërmarrin për të qenë pjesë e bllokut.

Mbështetje që u përcoll tashmë në një samit të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të mbajtur muajin e kaluar në Bruksel përpara takimit të Këshillit Evropian.

Sanchez u zotua të fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe t’i japë statusin e kandidatit Bosnjë-Hercegovinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore