Lajme

Peach përfundon vizitën në Kosovë, kërkon progres në themelimin e Asociacionit


I Dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

I Dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, pas vizitës së zhvilluar në Kosovë, ka deklaruar se është informuar për një sërë çështjesh, përfshirë edhe sulmin terrorist në Banjë më 24 shtator, teksa ka kërkuar progres në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai përmes një video-mesazhi konsideron që rezultatet duhet të tregohen në marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel.

“Progresi në themelimin e një Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe konteksti i zbatimit më të gjerë, me marrëveshjet e arritura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është pjesë e rëndësishme e këtyre përpjekjeve”.

Sipas tij, mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar siguri në Kosovë, do të vazhdoj.

“Në të gjitha këto takime, kam theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për pavarësinë dhe sigurinë e Kosovës. Kam dëgjuar me kujdes shqetësimin e thellë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjë dhe kam përsëritur se Britania pret që autorët të japin llogari”, ka thënë Peach.

Ai ka theksuar se të njëjtin mesazh e ka përcjellur edhe në Serbi, gjatë vizitës së tij javën e kaluar.

“Kam dëgjuar nga serbët e Kosovës për shqetësimet e tyre dhe për shpresat e tyre për të ardhmen”.

“Pas dhunës së muajve të fundit, tani me angazhimin e përforcuar të sigurisë ndërkombëtare, është koha për të adresuar këto shqetësime dhe për të vazhduar me përpjekjet ekzistuese për të siguruar që të gjithë qytetarët të ndjejnë se kanë një të ardhme dhe një Republikë të larmishme dhe multietnike të Kosovës”.

Më 29 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar të Dërguarin Special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, me të cilin kanë diskutuar për situatën e sigurisë në vend, si dhe për dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se zbarkimi i një kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit, “po i kontribuon situatës së sigurisë”.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovës, Peach, përveç se me Kurtin, është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, dhe zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi.

Këto takime të emisarit britanik, siç ishte thënë në njoftim, janë në funksion të detyrave të tij për të mbështetur stabilitetin në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore