Lajme

Kurti e Peach flasin për dialogun dhe situatën e sigurisë


Albin Kurti dhe Stuart Peach

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar këtë të mërkure të Dërguarin Special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, me të cilin kanë diskutuar për situatën e sigurisë në vend, si dhe për dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Siç ka njoftuar zyra e kryeministrit, çështjet të cilat u diskutuan në këtë takim ishin marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjë dy muaj më parë, dhe “dislokimin përgjatë kufirit të sistemit kundër-ajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Evropë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3”.

“U bisedua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel, si një hap dhe përpjekje e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë por edhe si mundësi e humbur për të nënshkruar marrëveshjen si garanci e zbatimit të plotë”, thuhet aty.

Foto: ZKM

Kurti e ka falënderuar Peach-in për bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar në fushën e mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë, veçanërisht përmes misionit të KFOR-it.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se zbarkimi i një kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit, “po i kontribuon situatës së sigurisë”.

Nga ana tjetër, ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit të tij në Kosovës, Lord Peach, përveç se me Kurtin, është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, dhe zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi.

Këto takime të emisarit britanik, siç thuhet në njoftim, janë në funksion të detyrave të tij për të mbështetur stabilitetin në rajon.

“Në përputhje me detyrën e tij për të mbështetur stabilitetin dhe prosperitetin në rajon, Lord Peach theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për përpjekjet e mëtejshme drejt sigurimit të një Kosove të sigurt dhe afatgjatë, duke përfshirë ndërtimin e momentit drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura përmes BE-së Dialog i lehtësuar”, thuhet në njoftim.

Kjo vizitë e top-diplomatit britanik në Kosovë, vjen pas asaj që e pati në Serbi, ku u takua me krerët e shtetit serb, përfshirë presidentin Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore