Lajme

PE-ja miraton liberalizimin e vizave për poseduesit e pasaportave ilegale serbe


Ilustrim

Parlamenti Evropian (PE) miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP). Në favor të vendimit në fjalë u shprehën 406 eurodeputetë, kundër 97 dhe 94 abstenuan.

Komisioni Evropian (KE) në nëntor të vitit të kaluar kur rekomandoi heqjen e vizave edhe për bartësit e pasaportave të lëshuara nga e ashtuquajtura “Zyrë Koordinuese” për serbët në Kosovë, deklaroi se të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të gëzojnë liberalizimin e vizave dhe lirinë e lëvizjes, pa marrë parasysh se çfarë pasaporte posedojnë.

Çështja e pasaportave të lëshuara nga Serbia për serbët e Kosovës është lënë jashtë rregullores për liberalizimin e vizave për Serbinë në vitin 2009, por edhe për Kosovën në vitin 2024, në kuptimin që pjesëtarët e komunitetit serb që posedojnë pasaporta speciale të Serbisë të aplikojnë dhe të marrin pasaportën kosovare. Por, kjo tash pritet të ndryshojë.

Komiteti i PE-së për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme (LIBE) miratoi më 9 prill raportin për heqjen e regjimit të vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe, ndërsa Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) – organi kryesor përgatitor i Këshillit të BE-së – mbështeti raportin më 11 prill.

Votimi i PE-së është hapi i fundit drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave serbe që në Kosovë konsiderohen ilegale. Në pasaportat e lëshuara nga Serbia për serbët që jetojnë Kosovë, vendbanimet e Kosovës figurojnë vendbanime të Serbisë. Për këtë arsye, autoritetet kosovare e kundërshtuan këtë hap duke e cilësuar shkelje të integritetit territorial.

Pas votimit në seancën e 23 prillit 2024 – seanca e fundit plenare e përbërjes aktuale të PE-së sepse midis 6 dhe 9 qershorit do të mbahet cikli i ri zgjedhor për ulëset e legjislativit të bllokut – mbetet vetëm që Këshilli i BE-së ta formalizojë vendimin dhe ai të publikohet në gazetën zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore