Lajme

PDK-ja akuzon Gërvallen dhe Damkën për keqpërdorim të 1.1 milion eurove


Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi dhe avokati Faton Fetahu.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosvës, Ariana Musliu-Shoshi dhe avokati Faton Fetahu, përmes një konference për media kanë denoncuar të mërkurën keqpërdorimin e 1.1 milionë eurove, ku të përfshirë janë dy ministrat, Donika Gërvalla dhe Fikrim Damka.

“Fjala është për një “Memorandum Bashkëpunimi”, në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it Zviceran, në bazë të të cilës, buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Ajo tutje është shprehur se kjo është aferë e dyshimtë dhe e kundërligjshme, përmes së cilës është mundësuar keqpërdorimi i rreth 1.1 milionë eurove të taksapaguesve të Kosovës.

“Kjo marrëveshje, është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas Pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove”.

Sipas saj, dyshimet rreth kësaj marrëveshje janë edhe të karakterit institucional, por edhe të karakterit financiar.

“Me këtë rast, Ministria e Zhvillimit Rajonal, jo vetëm që nuk ka autorizim ligjor, por është shprehimisht e ndaluar me legjislacionin në fuqi që shpenzimi i buxhetit shtetëror të bëhet në mënyrën siç është vepruar në këtë proces”.

Duke shtuar se, “mbi të gjitha, të nënshkruhet marrëveshje për ndarje fondesh publike me një Organizatë Joqeveritare, pa pasur shpallje publike e pa iu nënshtruar një gjë e tillë kritereve për çfarë shteti ka shpallur si interes me atë shpallje”.

Më tej, deputetja e PDK-së ka thënë se ky “Memorandum Bashkëpunimi”, nga dy ministrat e qeverisë Kurti është iniciuar dhe trajtuar sipas Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare, me qëllimin që të trajtohet si “Marrëveshje për Bashkëpunim Ndërinstitucional”.

Ndërsa, avokati Faton Fetahu, argumentoi se pretendimet për paligjshmërinë e kësaj marrëveshje mbështeten në katër pikvështrime ligjore.

“E para, kjo marrëveshje është në kundërshtim me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. E dyta, është në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. E treta, është në kundërshtim me ligjin për ndarjet buxhetore dhe e katërta, me legjislacionin e menaxhimit dhe shpenzimit të subvencioneve qeveritare”, ka thënë Fetahu.

Ai ka dhënë sqarime se ku qëndron paligjshmëria e këtij memorandumi.

PDK, u ka bërë thirrje institucioneve të hetuesisë që të merren urgjentisht me hetimin e këtij rasti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore