Lajme

PDK, Gjykatës Speciale: Ndaloni fushatën e përndjekjes, jeni të thirrur për të ofruar drejtësi, jo spektakël


Ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si një fushatë të re të përndjekjes, ndalimin dhe bastisjen e shtëpive të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga ana e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, gjegjësisht Zyra e Prokurorit të Specializuara.

Prandaj, PDK ka kërkuar që Gjykata Speciale të ndalojë këtë fushatë të përndjekjes dhe t’i kthehet punës brenda fushëveprimit dhe mandatit ligjor dhe kushtetues që ju ka dhënë Kuvendi i Kosovës.

Përparim Gruda, Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, në një konferencë për media të shtunën, ka theksuar ndër të tjera se Kosova ka themeluar Dhomat e Specializuara për të ofruar drejtësi me standarde evropiane dhe jo spektakël në emër të saj.

“Shpreh shqetësimin e PDK-së lidhur me fushatën e re të ndalimit dhe bastisjes që po zhvillohen nga Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-zyrtarëve të shtetit. Mbi të gjitha kjo fushatë e përndjekjes shpërfaqë dështimin e Dhomave të Specializuara për të argumentuar pretendimet e tyre në seancat gjyqësore”, është shprehur Gruda.

Përparim Gruda

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, të premten, ishte thirrur për të dhënë deklarim në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Pas përfundimit të deklarimit, atij i ishte konfiskuar telefoni.

Kurse, në mëngjesin e së enjtes, Gjykata Speciale kishte kryer bastisje te shtëpia e ish-Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi.

Po ashtu ishte raportua se bastisje, hetuesit e ZPS-së, kanë bërë edhe në shtëpinë e ish-Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, mirëpo i njëjti kishte mohuar një gjë të tillë.

Ai kishte thënë se takimi i tij me ZPS-në ishte për diskutime që i takojnë punës.

Gjatë konferencës për media, Gruda, komentoi edhe miratimin e projektligjit për Zyrtarët Publikë nga ana e Qeverisë së Kosovës, i cili sipas tij është në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

“Ajo që ka ndodhur është skandaloze, sepse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbatuar, është shpërfillur në tërësi nga Qeveria. Qeveria ka lënë në fuqi dispozitat që përcaktojnë se pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues do të jenë me mandat 4-vjeçar, në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka potencuar ai.

Ai ka thënë se trumbetimet e shumta për reforma në administratën publike janë harruar, sepse atyre ju kanë zënë vendin shkeljet e kushtetutës dhe tendencat për kapjen e administratës publike.

“Kjo është një fazë e re e shkeljes së Kushtetutës së Kosovës nga Qeveria, ku edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dispozitat jokushtetuese përfshihen në ligje. Një qeveri normale do të duhej të ndjehej keq kur shkel kushtetutën dhe jo të shkoj edhe një hap më shumë duke mos zbatuar as aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Gruda.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore