Kosova

“Pas sakrificash e vuajtjesh forcat e NATO-s dhe lufta e UÇK-së sollën lirinë”


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca

Në përkujtimin e ushtarëve të rënë të NATO-s, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin, Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca kanë vendosur kurora lulesh tek Pllaka Memoriale e ushtareve të rënë të NATO-s, me rastin e shënimit të 22 vjetorit të Ditës së Paqes.

Presidentja Vjosa Osmani u shpreh para mediave se “jemi këtu për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të ushtarëve të NATO-s, të cilët qëndruan përkrah Kosovës në momentet më të errëta të historisë saj”.

Ushtarët e NATO-s vazhdojnë të dhënë kontribut edhe pas 22 vitesh në mbrojtje të paqes dhe lirisë së Kosovës.

“Jemi po ashtu këtu për të nderuar vazhdimin e këtij kontributi i cili nuk është ndalur në vitin 1999, atëherë kur forcat e NATO-s kanë hyrë në Kosovë duke u shndërruar kështu në shpëtimtarët e popullit të Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Osmani gjithashtu ka thënë se kjo ditë njihet me epitete të ndryshme, “Siç e dini në ligjin për festat zyrtare kjo ditë njihet si dita e paqes, në mesin e qytetarëve tonë kjo ditë njihet si dita e çlirimit dhe dita e lirisë. Në fakt që të tria këto epitete i përshtatën kësaj dite”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa kryeministri, Albin Kurti qershorin e vitit 1999 e përshkroi si ditë që kishte zjarr në qiell dhe zjarr në tokë.

“Ne qershorin e vitit 1999 kishim zjarr në qiell dhe zjarr në tokë, por me 12 qershor këmbësoria e NATO-s i bashkohet ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë së Millosheviç-it, për ta ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptarë”, është shprehur ai.

Tutje ai potencoi se kjo ditë më së shumti ju kushtohet atyre të cilët sakrifikuan për liri.

“Me 12 qershor ne kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë dhe këtë ja përkujtojmë vetës çdo ditë sepse të gjithë ato gra e burra të cilët u sakrifikuan, dhanë jetën, ndodhen në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë, të pavarësisë tonë, të cilin duhet ta shpijmë më tej me zhvillim, drejtësi dhe demokraci”, ka thënë ai.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca është shprehur se “liria jonë erdhi si kontribut i Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, i dëshmorëve tonë, të cilët e dhanë jetën për liri”.

Ai ka thënë ndër të tjera se përpjekjes tonë për çlirim iu bashkua edhe faktori ndërkombëtar.

“…po ashtu edhe i bashkimit të kontributit të përpjekjes tonë çlirimtarë me faktorë ndërkombëtarë, të cilët e ndihmuan luftën tonë dhe si rezultat i kësaj ne u çliruam nga okupimi i Serbisë”, tha ai.

Konjufca shtoi tutje se “Kauza jonë ishte shumë e drejt që liria jonë ishte shumë e shenjtë prandaj duhet ta mbrojmë e ta ruajmë atë me çdo kusht”.

Më 12 qershori shënon 22 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Pas 78 ditë bombardime ndaj caqeve serbe, Aleanca Veri-atlantike NATO gjunjëzoi ish Jugosllavinë(Serbinë) duke e detyruar të nënshkruaj një marrëveshja tekniko-ushtarake të njohur si Marrëveshja e Kumanovës e cila detyron forcat serbe të largohen nga Kosova brenda 24 orëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore