Lajme

Pas më shumë se një muaji kërkimesh, arrestohet separatisti indian


Policia indiane ka arrestuar liderin separatist Sikh, Amritpal Singh pasi e kishte kërkuar për më shumë se një muaj, sipas një deklarate të policisë.

“Amritpal Singh është arrestuar në Moga, Punjab”, tha policia e shtetit në Twitter, duke i kërkuar publikut të mos përhapë lajme të rreme.

Ai u arrestua sipas Aktit të Sigurisë Kombëtare, i cili lejon që ata që konsiderohen si kërcënim për sigurinë kombëtare të ndalohen pa akuza, tha një zyrtar i policisë.

Singh, një predikues në shtetin veriperëndimor të Punjabit me shumicë Sikh, ka ringjallur bisedat për një atdhe të pavarur Sikh dhe ka nxitur frikën e një rikthimi në dhunën që vrau dhjetëra mijëra në vitet 1980 dhe në fillim të viteve 1990.

Policia akuzoi Singh dhe mbështetësit e tij për tentativë vrasjeje, pengim të zbatimit të ligjit dhe krijimin e mosmarrëveshjeve dhe tha se ai ishte në arrati që nga mesi i marsit.

Autoritetet vendosën mijëra policë në ndjekje, ndërkohë që interneti ishte i ndërprerë për ditë të tëra në Punjab, një shtet me 30 milionë banorë.

Policia arrestoi më shumë se 100 ndjekës të tij, i transferoi në burgje qindra kilometra larg dhe në disa zona autoritetet ndaluan tubimet e më shumë se katër personave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore