Kosova

Pas 14 ditësh, KFOR-i mundëson zëvendësimin e policëve në Veri


Kontigjenti polal i KFOR-it

Policët të cilët kanë qenë të bllokuar tash e dy javë në Leposaviq, për shkak të barrikadave në veri të Kosovës, janë zhvendosur dhe zëvendësuar me të tjerë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

“Sigurisht që po, ka ndodhë zëvendësimi”, tha shkurt Hoti për Albanian Post.

Gjithashtu, sipas burimeve të Albanian Post brenda Policisë së Kosovës, misioni paqeruajtës i NATO-s (KFOR) ka mundësuar zëvendësimin e policëve.

Ndërkohë, Albanian Post ka provuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin e Policës së Kosovës, Baki Kelani, për më shumë detaje, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Albanian Post qysh para dy javësh pati raportuar se policët e Kosovës, të njësive të ndryshme, kishin mbetur të bllokuar në pikën kufitare në Jarinjë, pa furnizime ushqimore e higjienike.

Gjendja psikologjike e policëve ishte rënduar, derisa ka pasur edhe irritim me qasjen e institucioneve në raport me situatën.

Sindikata e Policisë së Kosovës, pas raportimit të Albanian Post, kishte lëshuar një komunikatë nga ku i bëhej thirrje Qeverisë së Kosovës, KFOR-it e EULEX-it, që të ndërmarrin të gjitha veprimet që të sigurohet lëvizja e lirë për policët.

Pa furnizime, pa karburante… – afër 20 policë janë lënë tash e 4 ditë të bllokuar në pikën kufitare në Jarninjë

Gjithashtu, Albanian Post raportoi edhe për situatën kaotike të shkaktuar nga Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme duke sjellë detaje nga brenda Policisë së Kosovës për situatën në Veri.

Kujtojmë se më 17 dhjetor EULEX-i dërgoi furnizime thelbësore për forcat e rendit, duke përfshirë furnizime ushqimore, veshmbathje si dhe mjete higjienike.

Ndërkaq, KFOR-i në koordinim me Policinë e Kosovës kishte transportuar nëntë zyrtarë policorë nga Veriu i Mitrovicës për në Jug të saj.

Të njëjtit kishin mbetur të ngujuar që nga 10 dhjetori në vendet e tyre të punës ndërkohë që serbët kishin barrikaduar rrugët duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Policët janë transportuar nga komuna e Leposaviqit dhe pikë kalimi kufitar në Jarinjë për në jug të Mitrovicës për “shkaqe shëndetësore kronike”.

Situata kaotike e shkaktuar nga ministri Xhelal Sveçla – detaje nga brenda Policisë së Kosovës për situatën në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore