Kosova

Situata kaotike e shkaktuar nga ministri Xhelal Sveçla – detaje nga brenda Policisë së Kosovës për situatën në Veri


Foto nga Albanian Post

Me pancirin pa afat polici nga pjesa tjetër e Kosovës niset për në Veri. Se i është caktuar të shkojë në atë pjesë u lajmërua fare vonë, siç është bërë zakon tashmë.

Pa asnjë pajisje speciale në këtë operacion special ai niset i frustruar, por refuzon të flas shumë, jo për pasojnë e largimit nga puna, sa për përjetimin se nëse flet i bie se po e del kundër strukturës që i shërben.

Më mirë ta tradhtojë panciri atë, se ai policinë.

“Po pse e ke pancirin pa afat?”, e pyesim.

“Sepse nuk na kanë blerë të tjerë”, thotë, duke kërkuar që të mos e ngacmojmë shumë me pyetje.

Nuk dëshiron të flas, por në anën tjetër irritim për paqartësinë e madhe me të cilën po angazhohen ka.

Pancirët kanë afat 5 vjeçar. Pancirët e policisë janë shumë më të moçëm se 5 vjeç. Nuk u zëvendësuan asnjëherë me të rinj.

Por, ky nuk është shqetësimi i vetëm e larg më i madh i këtij polici të Kosovës që tash e sa ditë po angazhohet me orar të shtuar në Veri, meqë rreth 500 policë serbë të Kosovës lëshuan radhët.

Ai, në kushte anonimiteti, tregon për Albanian Post se kur shkon në Veri nuk e ka idenë se çfarë duhet të bëjë.

Pozicioni i pashpjeguar i Qeverisë, Policisë së Kosovës ia ka pamundësuar të ketë një plan të përgjithshëm operativ. Kryesisht operohet sipas situatës dhe nga dita në ditë.

Për shkak të respektit ndaj institucionit dhe kulturës specifike të njerëzve që merren me siguri, policët hezitojnë shumë ta shpërfaqin pakënaqësinë, por “gjendja është katastrofë”, thotë për Albanian Post një zyrtar tjetër shumë i lartë në strukturën komanduese të Policisë së Kosovës.

“Frustrimi dhe revolta është e madhe”, pohon ai, duke bërë fajtor pjesën politike të udhëheqësisë, veçanërisht ministrin Xhelal Sveçla.

“Në pikën tre në Jarnije ka policë që e kanë refuzuar ushqimin dhe dëshirojnë të lirohen nga pika për t’u kthyer në shtëpi”, ka treguar një tjetër zyrtar që po ashtu kërkon të jetë anonim.

Ata janë të revoltuar meqë kanë tash e sa ditë atje në kushte të rënda. Por, kushtet do t’i përballonin, sikur të kishte një ide të qartë se përse janë futur në këtë situatë.

Kur flasin për kolegët që u desh EULEX-i pas 10 ditësh t’iu çojë bukë, veshmbathje e gjëra të tjera higjienike, flasin me dhimbje.

“Ndërsa policët që u ndihmuan të largoheshin nga KFOR-i e për të cilët zyrtarisht u tha se janë të sëmurë, nuk është e vërtetë”, thotë një tjetër burim.

“Nuk kanë qenë të sëmurë, por nuk kanë dashur të qëndrojnë”.

Albanian Post ka kontaktuar me Luljeta Zhubin, drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

Ajo ka deklaruar për AP se “asnjë polic nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital”.

Se asnjë nga policët që u hoqën nga pika kufitare ku kishin mbetur të bllokuar nuk ka qenë i sëmurë e ka thënë për Albanian Post edhe Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

“Nuk kanë pasur ndonjë telashe shëndetësore dhe nuk janë të lënduar”, deklaroi Zeqiri.

Problemi, siç i tregoi ai AP-së, ishte se “disa nga ta kanë qenë me sëmundje kronike dhe kanë qenë me terapi edhe më herët”.

Derisa ka pasur të tjerë që “kanë qenë edhe në një moshë shumë të shtyrë, ka pas edhe 60 vjeçar”.

Por, Zeqiri megjithatë thotë se qëndrimi i tyre atje pa u zëvendësuar asnjëherë është i tepërt.

Ata janë “me vullnet shumë të lartë”, thotë ai duke nderuar kolegët e tij për shërbimin, “por është tepruar”.

“12 ditë të qëndrojnë në punë është shumë”, pohon ai.

“Vullnetin e lartë” jo të gjithë e mbajnë për fakt.

Situata me barrikadat, pa mundësia e lëvizjes, mosdhënia e direktivave dhe situata në vendnumëro pa objektiv të qartë i ka demoralizuar shumë policë.

“Ka rrugë që është e bllokuar me vetëm një kamion, por nuk guxojmë ta prekim. Ka urdhër që të mos ndërmerret asnjë veprim”, tregon një burim brenda policisë në kushte anonimiteti.

“Është në mëshirën e KFOR-it, nëse ata pranojnë të na lëvizin me helikopterë”.

Dhe bashkëpunimi me KFOR-in jo gjithmonë shkon vaj.

Një histori e treguar nga një tjetër burim anonim e shpalosë më së miri këtë situatë.

“Një grup i një njësie kishte për të kaluar në një pjesë në Veri, KFOR-i iu premtoi se do i lëviznin me helikopter. Në një moment, KFOR-i u tha se nuk i merr dot me helikopter, por të përdorin rrugë malore. Të përdorësh rrugë malore nënkupton të ballafaqohesh me banditët me maska dhe të armatosur rëndë që qëndrojnë në male afër barrikadave. Meqë as nuk e dinë se si duhet të veprojnë po u përballen me banditët, ata e lanë fare dhe mbetën pa kaluar në atë pjesë të Veriut”, tregon ngjarjen burimi.

Pamundësinë për veprim, organizimin e dobët dhe operimin pa plan në Veri, ia faturojnë ministrit Sveçla, Mes policëve është sekret publik se “ai është ministër i dobët”.

“As drejtorin e Policisë nuk e kanë zgjedhë, kemi mbetur pa drejtor qe sa muaj. Jemi me ushtrues detyre”, tregojnë.

Se sa kaotik është Sveçla ishte kuptuar moti. Atëherë kur pati planin e AKI-së për Veriun të hartuar nga shumë informacione dhe parashikime në terren, por nuk e mori parasysh fare.

Për çfarë bëhet fjalë?

Rreth dy muaj më parë, kur synimet e Qeverisë së Kosovës për konfisikimin e makinave me targa ilegale ishin bërë tashmë të qarta, Agjencia Kosovare e Inteligjencës e kishte pajisur me një dosje qeverinë.

AKI aty sqaronte se çfarë mund të ndodhë po që se jepet vendimi që policia në veri të implementojë masa.

Policët serbë do të lënë radhët, bënte të qartë raporti i inteligjencës kosovare, por jo vetëm kaq.

Kishte detaje të shumta dhe emër e mbiemër të policëve serbë që pritet të largohen.

Raporti kishte një qëllim, përgatitjen e planit për zëvendësimin e tyre në momentin e largimit, për të mos mbetur në vakum institucional e të sigurisë në atë pjesë.

Albanian Post e ka konfirmuar raportin nga dy burime brenda institucioneve.

Çfarë nuk ka mundur të kuptojë mediumi është neglizhimi i nivelit politik të këtij raporti.

Përkundër se i hartuar në përpikëri, plani i zëvendësimit nuk u morë  parasysh. Kur policët serbë u larguan, vakumi i paralajmëruar ndodhi.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Xhelal Sveçla e kishin lexuar raportin e AKI-së, por vetëm kaq, lexuar.

Albanian Post në një tekst me titull “A ka marrëveshje për mosmarrëveshje – në kërkim të konfliktit në veri?”, të publikuar me 5 nëntor, kishte njoftuar se në qeveri janë të njoftuar me hapat që do t’i ndërmarrin serbët në veri.

“Kurti e kishte ditur paraprakisht se struktura serbe e Policisë së Kosovës në veri nuk do ta zbatojë vendimin për targat, pasi ata njëjtë kishin refuzuar të reagonin edhe kur strukturat paralele atje bllokuan rrugën me kamionë në disa raste. Madje ishte njoftuar se marrja e vendimit për zbatimin e masave të shkallëzuara do çonte te largimi i serbëve nga institucionet”, thuhej në publikimin e AP-së.

Mosmarrja parasysh e planit të hartuar për veprim të mëpasshëm nuk është zëvendësuar me një plan tjetër.

Burime brenda policisë i kanë thënë AP-së se nuk ekziston as ideja më e vogël brenda zinxhirit komandues se cila është strategjia operuese.

“Edhe sillen si kompetent, edhe nuk dinë gjë. Janë injorantë”, i ka thënë një burim AP-së, zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës, kur ka përshkruar ministrin Sveçla dhe kabinetin e tij.

Pa përvojën e mjaftueshme dhe në një situatë të panjohur për të, Xhelal Sveçla ka krijuar kaos brenda policisë së Kosovës.

Kaos që është përcjellur edhe në terren.

Policët në anën tjetër vazhdojnë ta kenë motivin për të shërbyer, por kanë filluar ta kenë të pa qartë se kujt po i shërbejnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore