Lajme

‘Partneriteti Strategjik’ i Tunizisë dhe BE-së për migracionin


Bashkimi Evropian dhe Tunizia kanë nënshkruar një protokoll për “partneritetin gjithëpërfshirës strategjik” për shtypjen e migracionit të paligjshëm, burimet e rinovueshme të energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit të Magreb-it.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes, e cila duhet të “kontribuojë në progresin e përbashkët”, duke përmendur “pesë shtyllat”, përfshirë çështjen e migracionit.

Tunizia është një trampolinë për mijëra emigrantë në rrugën e tyre drejt Evropës përmes Detit Mesdhe, transmeton Reuters.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri holandez Mark Rutte shoqëruan lideren evropiane pas vizitës së tyre të parë në Tunizi muajin e kaluar, kur paraqitën propozimin e partneritetit.

Bëhet fjalë për “një fazë të re, të rëndësishme për zgjidhjen e plotë të krizës së emigrantëve”, tha Meloni, duke ftuar presidentin tunizian Kais Saied të vijë në Romë të dielën e ardhshme, për takimin e nivelit të lartë për migracionin.

Saied theksoi pjesën e marrëveshjes për “afrimin e njerëzve”.

Sipas Meloni-t, partneriteti midis Tunizisë dhe BE-së “mund të jetë një shembull i vendosjes së lidhjeve të reja me Afrikën e Veriut”.

Rutte vlerësoi se “marrëveshja do të jetë e dobishme si për BE-në ashtu edhe për popullin tunizian”, duke kujtuar se Bashkimi Evropian është partneri kryesor tregtar dhe investitori më i madh i Tunizisë.

Lidhur me emigracionin, ai theksoi se marrëveshja do të mundësojë “kontroll më të mirë të imigracionit të paligjshëm”.

Marrëveshja parashikon ndihmë me vlerë 105 milionë euro për të luftuar imigracionin e paligjshëm dhe ndihmë buxhetore prej 150 milionë eurosh, ndërsa Tunizia është e shtypur nga një borxh që arrin në 80 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB) dhe mungesa e parave të gatshme.

Trojka evropiane përmendi gjithashtu “ndihma makroekonomike prej 900 milionë euro” që mund t’i jepet Tunizisë në formën e një kredie në vitet e ardhshme.

Von der Leyen tha të dielën në Bruksel se ajo është “e gatshme ta ofrojë atë ndihmë sapo të plotësohen kushtet”.

Kjo “ndihmë” e BE-së kushtëzohet nga marrëveshja e Tunizisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për kreditimin e ri të fondit, për të cilin dy palët nuk arrijnë të bien dakord prej muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore