Shqipëria

Rama: Në 4 vitet e ardhshme, më shumë se të gjitha vitet e marra së bashku


Nga sheshi “Skënderbej” i kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë, Partia Socialiste (PS) nisi zyrtarisht fushatën, për zgjedhjet që do të mbahen më 25 prill.

Përpara fillimit të fushatës, gazetarja për Albanian Post raportoi se në shesh shiheshin karrige të vendosura në distancë, duke respektuar të gjitha masat anti-Covid.

Fushata e PS-së u çel me Himnin e Flamurit, në performancën e këngëtares Vikena Kamenica.

Fjalën hapëse e mbajti kandidatja e parë në listën e Qarkut të Shkodrës, Edona Bilali.

Ajo shprehu pakënaqësinë me punën e politikës në Shkodër.

Duke përfshirë edhe Partinë Socialiste, që sipas saj, ka pjesën e saj të borxhit me këtë qytet, tha se “është koha që ne të punojmë si shkodranë e si shqiptarë, jo si demokratë apo si socialistë”.

Në vijim, fjalën e mori Petrit Malaj, kryesuesi i listës së Qarkut të Kukësit.

Ai tha se iu bashkua PS-së, me synimin për të vijuar ndryshimet që kanë ndodhur në Tropojë, Kukës dhe Has.

Fushata e PS-së vijoi me Qarkun e Dibrës.

Kandidati i parë në listë atje, emigranti i kthyer nga Londra, Lavdërim Krashi, solli në vëmendje perspektivën e tij për ndryshimin.

“Në këtë skuadër të fortë këtu, do ta bëjmë të gjithë Shqipërinë vendin e të gjithë neve”, tha Krashi.

Qarku i Lezhës, me kryesuesen e listës, Lindita Nikollën, vijoi me prezantimin e fushatës.

Ajo e cilësoi 25 prillin si të veçantë për këtë qark, duke u bazuar te përfundimi i punëve të rindërtimit nga tërmeti deri në pranverën e ardhshme.

Milva Ekonomi, kryesuese e listës së PS-së në Qarkun e Durrësit, e nisi fjalën e saj duke vënë theksin te rëndësia që kanë këto zgjedhje për Shqipërinë.

Kandidatja e Qarkut të Elbasanit, Evis Kushi, u shpreh se, “as në ëndrrat më të bukura, nuk e kisha menduar se do të bëhej në tetë vite më shumë se në dhjetëra të marra bashkë”.

Gjithashtu foli dhe kandidatja për Qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, e cila tha se “Shqipëria është transformuar falë programit të PS-së”. Në mbyllje, ajo u bëri thirrje qytetarëve “një votë, për ta çuar përpara zhvillimin e vendit”.

Zëvendëskryeministri Erjon Braçe, kandidat në listat e PS-së në Fier, e nisi fjalën e tij me një mesazh prekës për ata që humbën jetën nga coronavirusi, duke thënë se “ata nuk ja dolën dot, por ne jemi të gjithë bashkë për t’ia dalë edhe për ta”.

Në ceremoninë hapëse të fushatës zgjedhore fjalën e morën edhe të tjerë kryesues të të gjithë qarqeve ku kandidojnë.

Fjala e kreut të PS-së

Në mbyllje të prezantimit të fushatës zgjedhore foli kryetari i PS-së, njëkohësisht dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai e nisi fjalimin e tij duke bërë një krahasim të dy qasjeve, që sipas tij, secila parti ka me ligjin, shtetin dhe rregullat.

Kreu i PS-së bëri një krahasim të të dy fushatave hapëse, duke i cilësuar si dy kartolina të ndryshme nga njëra-tjetra.

“Sonte u kemi vënë para syve njerëzve dy kartolina: Këtu ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat që kemi vënë të gjithë së bashku. Ndërkohë që atje nuk ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat, për njerëzit”.

“Si mund të pretendohet në shekullin e XXI në vitin 2021, të merret në dorë kjo qeveri dhe të qeveriset me britma e pasthirrma. Ata që shohin këta dy kartolina u them, se çfarë doni të dini se çfarë e pret këtë vend nëse ata do të vinin në krye, shihni sheshin ‘Nënë Tereza’”, shtoi ai.

Rama u shpreh se “fushata e PS-së është fytyra jonë”. Kurse fytyra e fushatës së PD-së, tha ai është krejt tjetër.

“Këtu ka përgjegjshmëri qytetare, njerëzore, familjare, atje sundon papërgjegjshmëria. Këtu shëndeti i njerëzve, është edhe njëherë si çdo ditë, mbi gjithçka tjetër”.

Kryeministri theksoi se “atje, partia është edhe mbi shëndetin e njerëzve. Këtu ka respekt për mjedisin, për hapësirën dhe për ajrin. Atje ka ndotje dhe ka zhurmë”.

Në vijim, Rama tha se “Shqipëria është vonuar dhe për fajin e qeverive që kanë qenë në pushtet përpara”.

“Dhe arsyeja përse kemi marrë dy mandate dhe do të marrim dhe të tretin, është se Shqipëria nuk mund të vonohet më prej tyre”.

Ai e cilësoi fushatën si një sfidë. Dhe sfida, për Ramën, është fitorja ndaj armikut të padukshëm.

“Ne nuk mund të jemi krijues vatrash infektimi, duke i vënë njerëzit në rrezik”.

Mandati i tretë

Kryeministri tha se mandati i tretë, për të dhe për shqiptarët, nuk është një qëllim në vetvete dhe nuk është për karrigen e askujt as të PS-së, dhe as të vetë Ramës.

“Mandati i tretë është që Shqipëria të mos kthehet më mbrapa. Në mandatin e tretë do të bëjmë të pakthyeshme të gjitha reformat që janë në proces”.

Kryesocialisti tha se “mandati i tretë është që Ilir Meta, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi të mos e marrin peng Shqipërinë për hesap të llogarive të tyre”.

Rama tha se ka 1 mijë e një arsye për mandatin e tretë, dhe se janë këto ditë që do t’i shërbejnë për të shprehur këto arsye.

Ai përmendi çfarë ka arritur qeveria edhe në kohë krize.

“Faktet e thonë që ne kemi rifituar të gjitha vendet e punës që humbëm gjatë vitit të shkuar. Nëse në 2013 numëroheshin 478 mijë shqiptarë në punë, në vitin 2019 ishin 677 mijë e 500 dhe në vitin 2020 numërohen 688 mijë vende pune”.

Mandati i tretë për qeverinë e Ramës, “nuk është një mandat për të shtuar vitet tona në qeverisje, por për të shtuar kapacitetet e Shqipërisë me sytë nga viti 2030”.

Kreu i PS-së u ndal edhe te projektet dhe investimet që janë në plan për t’u kryer.

“Kemi në planin e veprimit katër aeroporte. I pari, në Kukës, përfundon brenda pak ditësh. Tjetri, ai në Vlorë, i cili u shty për shkak të arsyeve objektive, fillon nga puna pas pak ditësh. Ai i Sarandës, me eksperiencën që morëm nga ndërtimi i Vlorës, është pjesë e planit të veprimit të mandatit të tretë”.

Rama, mbi të gjitha, nuk la pa përmendur dhe procesin e vaksinimit.

“Ne do të sjellim këtu fabrikën e prodhimit të vaksinave, të vaksinave të cilësisë së lartë, jo vetëm për përdorim të brendshëm, por edhe për eksport”.

Rama e mbylli fjalimin e tij me premtimin se, “në 4 vitet e ardhshme do të bëjmë më shumë se të gjitha vitet e tjera të marra së bashku, së bashku me vitet tona në qeverisje”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore