Bota

Paratë që do të rimëkëmbin botën: Konsumatorët kusyen 2,9 trilionë dollarë gjatë pandemisë


Konsumatorët në ekonomitë më të mëdha të botës kanë grumbulluar 2,9 trilionë dollarë në kursime prej mbylljes gjatë pandemisë. Kjo është një rezervë që ka potencialin të ndihmojë fuqimisht rimëkëmbjen pas recesionit të pandemisë.

Familjet në SHBA, Kinë, Mbretëri të Bashkuar, Japoni dhe vendet më të mëdha të BE-së “futën paratë poshtë nënkresave” kur u detyruan nga Covid-19 të qëndronin në shtëpi dhe larg dyqaneve, vlerëson Bloomberg Economics. 

Gjasat janë që të vazhdojnë të bëjnë të njejtën gjë përderisa vazhdojnë kufizimet dhe nuk marrin stimuj për të kundërtën nga qeveritë. 

Gjysma e kësaj shume, rreth 1,5 trilionë deri tani, është kursyer vetëm në SHBA. Kjo përbën më shumë se dyfishin e rritjes së përvitshme të PBB-së atje, ose sa i gjithë prodhimi vjetor i Koresë së Jugut.

Skenaret optimiste besojnë në një vërshim të njerëzve nëpër dyqane, restorante, biznese rekreative, evente sportive dhe vende turistike.

Ata më mosbesuesit nga ana tjetër, mendojnë se paratë do të përdoren për të shlyer borxhet, ose do të vazhdojnë të grumbullohen derisa të kalojë kriza shëndetsore dhe normalizohen tregjet.

Bloomberg Economics vlerëson se nëse paratë e kursyera në SHBA do të shpenzoheshin gjatë vitit, rritja ekonomike do të ishte në nivelin 9% dhe jo 4,6 siç janë parashikimet e tanishme për vitin 2021.

Në të anasjelltë, nëse asnjë qindarkë nuk shpenzohet nga kursimet, rritja do të jetë vetëm 2,2%.

“Vera e 2020-ës doli se ishte një agim i rrejshëm, por gjithashtu tregoi se sa shpejt mund të ngrihen ekonomitë nëse hiqen kufizimet e Covid-19-ës” tha Maeva Cousin, ekonomiste e gjigandit mediatik. 

Amerikanët nuk janë të vetmit në këtë situatë. Familjet kineze depozituan 430 miliardë dollarë më shumë nëpër llogaritë e tyre bankare. Në Japoni kjo vlerë ishte rreth 300 miliardë dollarë dhe rreth 160 miliardë në Mbretërinë e Bashkuar. Në BE u depozituan 465 miliardë dollarë, me Gjermaninë që kryeson me 170 miliardë dollarë.

Një instrument i përdorur rëndom për të dekurajuar kursimet është ulja e normave të interesit. Kjo do t’i shtynte njerëzit të lëviznin paratë e tyre më mirë se sa t’i vendosin nëpër llogari bankare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore