Kosova

Parashikimi i Bankës Botërore: Inflacioni në Kosovë do të ngadalësohet në 3% këtë vit


Banka Boterore

Këtë vit, pra 2024, inflacioni në Kosovë, sipas pritjeve të Bankës Botërore, do të ngadalësohet në 3 për qind dhe gradualisht do të bie në 2 për qind në periudhën afatmesme.

Si rrjedhojë e kësaj, normat e interesit parashikohet që të bien deri në gjysmën e dytë të këtij viti.

Zyra e Bankës Botërore në Prishtinë i ka bërë këto parashikime për “Radio Kosova”, ku kanë theksuar se parashikojnë ngadalësim të inflacionit deri në fund të vitit 2024.

Megjithatë, sipas Bankës Botërore, ka rreziqe që mund të çojnë në devijime nga ky projeksion, duke përfshirë mundësinë e një rikthimi të inflacionit të nxitur nga intensifikimi i tensioneve gjeopolitike si dhe nga presionet e brendshme për paga më të larta.

“Banka Botërore aktualisht parashikon që inflacioni, i matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit, do të ngadalësohet në 3 për qind këtë vit dhe gradualisht të bie në 2 për qind, në periudhën afatmesme”, thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore.

Sipas Bankës Botërore, projeksioni bazohet në pritjet për presione më të ulëta nga çmimet ndërkombëtare të energjisë, ushqimit dhe lëndëve të para, për të cilat Kosova është kryesisht importuese.

Vitin e kaluar u rritën normat e interesit, në përpjekje për të frenuar inflacionin, përderisa një anketë e Bankës Qendrore, e kryer në janar, tregon se në gjysmën e dytë të këtij viti Banka Botërore parasheh një rënie të lehtë të tyre.

Se duhet të zvogëlohen normat e interesit ka thënë edhe Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

“Jemi duke parë që ka rënie të inflacionit. Nuk është më në atë pikun që ka qenë vitin e kaluar dhe nuk ka arsye që normat e interesit të ngritën”, ka thënë Rafuna.

Përveç se janë më të lartat në rajon, sipas kreut të Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, normat e interesit po ndikojnë edhe në investime.

“Ekonomia nuk mund të zhvillohet pa mbështetje të bankave. Bankat kanë dalë sektori më profitabil në kurriz të qytetarëve”, ka thënë Shahini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore