Shqipëria

“Paradhëniet elektorale”, KQZ-ja pret të shpërndahet nga Buxheti i Shtetit


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve deklaroi të premten e 5 majit se shpërndarja e fondeve të partive si paradhënie pritet të bëhet direkt nga Buxheti i Shtetit.

Reagimi i institucionit zgjedhor erdhi pas shqetësimeve të raportuara nga subjektet zgjedhore lidhur me vonesën në shpërndarjen e këtij fondi.

Ky i fundit, u jepet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore më 14 maj.

“Fondi për zgjedhje që përfitojnë partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje u miratua me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 13.04.2023. Ligji në fjalë ka hyrë në fuqi në datën 13.04.2023 dhe i është dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në datë 20.04.2023”, vëren njoftimi zyrtar i KQZ-së.

Sipas tyre, dy ditë më pas është miratuar vendimi “për përcaktimin e sasisë së fondit nga Buxheti i Shtetit që do t’u shpërndahet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023”.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, përcaktoi zyrtarisht më 22 prill sasinë e fondit të buxhetit të shtetit, që do të shkojë për financimin e partive politike në fushatën zgjedhore të 14 majit.

Kështu, me Partinë Socialiste të parën, që merr 42.8 milionë lekë paradhënie nga fondi prej 97 milionë lekësh, ndjekëse është PD-ja (zyrtare), me thuajse 24.9 milionë lekë.

Podiumin e fondit të përcaktuar e mbyll Partia e Lirisë me 15.5 milionë lekë.

Në terma të përgjithshëm, me vendim të datës 12 prill, duhet të shpërndahen 345 milionë lekë, prej të cilave shumat më të mëdha i marrin socialistët me 151 milionë dhe demokratët me 106 milionë.

Ajo çfarë mbetet për t’u theksuar gjithsesi, është fakti se PD-ja juridike zyrtare, nuk kandidon në të gjitha bashkitë e vendit.

Përkundrazi, ajo sheh shumë pak kandidatë për kryetar bashkie dhe ka mangësi të mëdha edhe në listat për këshilla bashkiakë.

Ndërsa, Partia e Lirisë, praktikisht të gjithë shumën që duhet ta marrë, prej 15.6 milionë lekësh, e merr që me paradhënien, duke u bazuar edhe në faktin se gjendet edhe në pozitat e drejtueses së koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore