Lajme

Pandemia mbyll 3 mijë biznese në Kosovë


Ilustrim

Rreth 3 mijë biznese në Kosovë gjatë dy viteve të fundit janë mbyllur për shkak të pandemisë COVID-19.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë gjatë vitit 2020 kanë falimentuar 1 mijë e 346 biznese, ndërsa vetëm gjatë vitit 2021 ky numër ka arritur në 1 mijë e 519 biznese, pra 173 veprimtari më shumë krahasuar me vitin 2020.

Numri më i madh i këtyre biznese që janë shuar kanë ushtruar veprimtari në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, kështu pasuar nga hoteleria dhe akomodimi, si dhe industria përpunuese, në listën e bizneseve të mbyllura figurojnë edhe biznese në fushën e ndërtimit.

Për Kryetarin e Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, rezultati i dobët i performancës  ekonomike të këtyre biznese ka bërë që të rritet edhe numri i kompanive të shuara.

Megjithatë, Krasniqi shpreson që Qeveria e Kosovës do të miratojë një pako mbështetëse për bizneset.

Skënder Krasniqi

“Ne po shpresojmë që Qeveria do të dalë edhe me një program të përkrahjes së bizneseve për dëmet që është duke i shkaktuar edhe kriza e energjisë elektrike”, ka theksuar Krasniqi, për agjencinë e lajmeve Kosova Press.

Për ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj numri i bizneseve të falimentuara është edhe më i lartë, nga sa raportohet.

“Ky numër rreth 3 mijë biznese që janë mbyllur në këto dy vjet, një pjesë e tyre është për pasojë e pandemisë COVID-19, por edhe për pasojë e gjendjes së situatës ekonomike. Por, është edhe një numër i madh, mbi dhjetëra-mijëra biznese të cilat as nuk janë mbyllur, e as nuk e kanë filluar procesin e mbylljes së aktivitetit biznesor dhe realisht kanë mbetur pezull”, ka thënë Mulaj.

Ismet Mulaj

Ndryshe sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë në dy vitet e fundit janë regjistruar gjithsej 19 mijë e 863 biznese ku prej tyre, 9mijë e 802 gjatë vitit 2020 ndërsa 10 mijë e 61 në vitin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore