Lajme

Palestinezët kanë 8 herë më shumë gjasa të përballen me shembjen e shtëpive se sa kolonët


Izraeli ka dhënë tetë herë më shumë urdhra prishjeje në Bregun Perëndimor kundër strukturave të reja të ndërtuara nga palestinezët, krahasuar me kolonët.

Midis majit 2019 dhe fundit të vitit 2021, Administrata Civile nxori urdhra largimi kundër 285 strukturave të reja palestineze dhe rrafshoi 200 të tjera.

Për kolonët, këto shifra ishin përkatësisht 84 dhe 25.

Shifrat iu dorëzuan ligjvënëses Gaby Lasky në përgjigje të një pyetjeje parlamentare që ajo i paraqiti ministrit të Mbrojtjes, Benny Gantz.

Sakaq, këto urdhra janë lëshuar në përputhje me Urdhrin për Heqjen e Strukturave të Reja, i cili hyri në fuqi në vitin 2019 dhe u la në fuqi nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë.

Ai kërkon që banorët të paraqesin një leje ndërtimi brenda 96 orëve, pas së cilës inspektorët e Administratës Civile lejohen të prishin strukturën pa mbajtur një seancë dëgjimore.

Meqë lejet e ndërtimit lëshohen rrallë për palestinezët në zonën C të Bregut Perëndimor, që sipas Marrëveshjeve të Oslos janë nën kontrollin ekskluziv të Izraelit, ata kanë shumë më tepër gjasa të jenë viktima të prishjeve.

Urdhri, nga ana tjetër, është kritikuar si nga palestinezët, edhe nga hebrenjtë.

Ndryshe nga urdhrat e zakonshëm të prishjes, ai siguron një afat të shkurtër kohor deri në kryerjen e shembjes, duke eliminuar plotësisht procesin e dëgjimit dhe apelit.

Po ashtu administrata i ka dhënë Lasky-t të dhëna për numrin e strukturave të luajtshme që Izraeli konfiskoi në Zonat C, duke përfshirë shtëpitë e lëvizshme dhe strukturat e tjera, transporti i të cilave brenda Bregut Perëndimor kërkon leje.

Palestinezëve, ndërmjet viteve 2017-2021, iu konfiskuan katër herë më shumë struktura të luajtshme (3 mijë e 201) se sa kolonëve (7 mijë e 36).

Çka tregojnë se ka zbatim të tepruar kundër palestinezëve.

“Kjo është një përpjekje sistematike për të shpronësuar popullsinë palestineze dhe për ta shtyrë atë nga zona C”, ka thënë Lasky.

Ajo ka shtuar se të dhënat tregojnë një shembull të politikës izraelite në territoret që “në praktikë promovon marrjen e vendbanimeve, dëmton zgjidhjen me dy shtete dhe është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.

Në vitin 2018, pas nënshkrimit të Urdhrit për Heqjen e Strukturave të Reja, organizatat mbrojtëse depozituan një peticion kundër Gjykatës së Lartë të Drejtësisë në emër të 13 kryetarëve të këshillit palestinez.

Ata argumentuan se urdhri zbatohej në një mënyrë diskriminuese kundër palestinezëve.

Por, gjyqtarët David Mintz, Isaac Amit dhe Alex Stein e mohuan peticionin.

“Të dhënat vërtetojnë saktësinë e pretendimeve të kërkuesve se qëllimi i urdhrit është politik dhe në të ardhmen ai mund të bjerë kryesisht mbi strukturat palestineze”, ka thënë avokati Kamar Mishraki-Asad.

Thuajse të gjitha komunitetet palestineze në zonën C nuk kanë një masterplan. Kurse në të tjera, planet për zgjerimin e komunitetit nuk janë miratuar.

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore