Lajme

“Pa angazhimin e ShBA-ve s’ka zgjidhje përfundimtare Kosovë-Serbi”


Pas de-eskalimit të situatës me largimin e barrikadave në Veri të Kosovës dialogu Kosovë-Serbi pritet të hyjë në një fazë shumë më dinamike gjatë muajit janar.

Shenjat e para për këtë i dhanë liderët nga Kosova e Serbia përfshirë edhe ndërmjetësit nga Bashkimi Evropian.

“Ofensiva diplomatike e janarit”, do të përfshijë një sërë vizitash të top-diplomatëve evropian e amerikan në Kosovë e Serbi me të vetmin qëllim – përafrimin e pozicionit të të dyja palëve me propozimin franko-gjerman të cilin Albanian Post e kishte publikuar më 18 shtator pjesërisht e me 12 nëntor tërësisht.

Për Janusz Bugajskin, gazetarin dhe njohësin e dinamikave në Ballkanin Perëndimor, propozimi franko-gjerman do të ketë kilometrazh të shkurtër nëse i njëjti nuk shoqërohet me orare, stimuj e mekanizma zbatues për njohjen e ndërsjellët ndërshtetërore.

“Fakti që propozimi nuk është bërë publik ka krijuar edhe më shumë probleme që secila palë të interpretojë përmbajtjen e saj në mënyra të ndryshme dhe të mos jetë dakord për qëllimet e saj. Në versionin që kam parë, propozimi është shumë i kufizuar për të siguruar ‘normalizimin’ përmes njohjes reciproke dhe mbetet shumë i paqartë për shtetësinë e Kosovës dhe rëndësinë e saj për sigurinë rajonale dhe zhvillimin ekonomik”, ka thënë Bugajski në një intervistë për Albanian Post.

Ishte i deleguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ai i cili pas largimit të barrikadave në një intervistë për mediumin prestigjioz, Politico, tha se koha aktuale është ideale për një zgjidhje të çështjes Kosovë-serbi dhe nëse humbet momenti, mosmarrëveshje mund të zvarritet për dekada.

Ilustrim

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi pak ditë më parë që “burra të mëdhenj”, do të zbarkojnë në Beograd gjatë gjysmës së parë të janarit.

Lajmin e dhënë nga Vuçiç, edhe pse jo-zyrtarisht, e konfirmoi mediumi serb i afërt me presidentin në Serbi, Novosti.

Novosti duke u thirrur në burime diplomatike shkroi se pas 7 janarit Beogradin zyrtar do të vizitojnë përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Top diplomatët perëndimor, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, të cilët do të jenë të shoqëruar edhe me emisarët nga Franca e Gjermania, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, sipas Novostit, do të tentojnë ta bindin lidershipin serb për të filluar dialogun në bazë të propozimit franko-gjerman për normalizim të plotë të marrëdhënieve.

Megjithatë për Bugajskin është e qartë se Administrata e re Amerikane në krye me, Joe Biden, nuk është aq sa duhej të ishte e angazhuar në Ballkanin Perëndimor dhe nuk e kupton faktin se rajoni mund të rrëshqasë sërish drejt konfliktit të armatosur nëse i lihet BE-së për të menaxhuar tërësisht Ballkanin Perëndimor.

“Pa angazhimin e plotë të Uashingtonit në nxitjen e njohjes reciproke, nuk do të ketë zgjidhje përfundimtare”, ka shtuar ai.

“Asociacioni është bombë me sahat, recetë për mosmarrëveshje”, intervistë ekskluzive me Janusz Bugajskin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore