Lajme

Osmani vazhdon vizitën në Maqedoninë e Veriut


Vjosa osmani, Presidente e Kosovës dhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon vizitën e saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Këtë të enjte, nga ora 10:20 ajo do të mbajë fjalë rasti para stafit akademik dhe studentëve në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Osmani po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq sot pritet që ta vizitojë edhe Tetovën.

Presidentja Osmani gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut do ta vizitojë edhe Tetovën ku do ta takojë kryetarin e komunës, Bilall Kasamin, disa kryetarë tjerë komunash të drejtuara nga shqiptarët dhe intelektualë të kësaj komune.

Vizitën në këtë komunë, Presidentja Osmani do ta përmbyllë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku para studentëve dhe stafit akademik do të flasë për sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë.

Vizitën Zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Osmani e kishte filluar një ditë më parë.

E ardhmja e përbashkët e vendeve është në familjen euroatlantike, ishte fjalia e përbashkët e dy presidentëve, Osmanit dhe pendarovskit, në konferencën për medie, pas takimit.

Të dy presidentët theksuan se vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe komunikim të nivelit të lartë, si dhe një rol të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Pendarovski dhe Osmani biseduan gjithashtu për të drejtat e komuniteteve në të dyja vendet.

“Në takimin me presidentin e Kosovës biseduam edhe mbi mundësitë për avancimin e të drejtave të maqedonasve në Kosovë, në një kohë kur, për fat të keq, janë riaktivizuar disa propaganda të huaja. Në këtë drejtim, qëllimi ynë i përbashkët është të bashkojmë qytetarët në të dy anët e kufirit dhe të lehtësojmë dhe intensifikojmë bashkëpunimin ndërkufitar”, deklaroi Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut, një ditë më parë.

Për presidenten Osmani, shqiptarët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë forcë e rëndësishme shtytëse drejt ndryshimeve pozitive, “si dhe në arritjen e aspiratave euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Është me rëndësi që të vazhdohet përkrahja dhe fuqizimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në të gjitha sferat e shoqërisë si qytetarë të barabartë dhe kontribuues kyç në avancimin e Maqedonisë së Veriut”, kishte thënë ajo të mërkurën.

Temë diskutimi ishin edhe çështjet ekonomike. Pendarovski tha se shkëmbimi tregtarë me Kosovën vitin e kaluar arriti në 482 milion euro dhe se trendi i rritjes duhet të vazhdojë. Nga ana tjetër, Osmani theksoi se ka potencial për zhvillim më të madh, veçanërisht pasi Maqedonia dhe Kosova nuk janë vetëm gjeografikisht të afërta, por janë edhe vende që kanë të njëjtin vizion.

“Shpresojmë që sa më parë të shohim edhe finalizimin e autostradës prej 12km që lidh Shkupin me pikën kufitare me Republikën e Kosovës. Kjo rrugë do të na afrojë dhe më shumë dhe do të na krijojë mundësi edhe më të mëdha për shkëmbime të shumanshme përfshirë në ekonomi. Njësoj shpresoj të ndodhë edhe me krijimin e pikave të përbashkëta kufitare në dy pikëkalimet kryesore dhe tani më kemi lajme të mira në këtë drejtim”, theksoi presidentja Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore