Kosova

Osmani takon kryeministren e Danimarkës, diskutojnë për zhvillimet e fundit në Kosovë


Vjosa Osmani dhe Mette Frederiksen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të shtune ka takuar kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, në margjinat e Konferencës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Çështje Klimatike.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Osmani ka thënë se takimi me kryeministren daneze, ka qenë një mundësi e mirë për të diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovës dhe rajon.

“Danimarka është mike e vlefshme për Kosovën dhe ne mezi presim të vazhdojmë të punojmë së bashku për të përballuar sfidat e përbashkëta”, ka shkruar Osmani, pas takimit.

Ndryshe Osmani në margjinat e Konferencës së OKB-së, këtë të shtunë, ka takuar edhe ish-sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry.

Në një postim në platformën sociale, X, Osmani bëri të ditur se ka informuar Kerry-in, tashmë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje klimatike, për zhvillimet më të fundit të sigurisë në Kosovë.

“Theksova gjithashtu rëndësinë e lidershipit të SHBA-ve për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm”, ka shkruar Osmani, pas takimit.

Ndër të tjera Osmani, njoftoi, se personalisht ka lavdëruar udhëheqjen e Kerry-it në çështjet klimatike.

“Shpreha gatishmërinë tonë për të punuar së bashku për të trajtuar sfidat e përbashkëta”, ka shtuar Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore