Kosova

Osmani si presidente: Fitorja është e perbashkët


“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë së Kosovës, betohem se me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej detyrimet e mia”, janë fjalët e para të Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës.

Në fjalimin e saj të gjatë ajo ka theksuar se Kosova edhe njëherë zgjodhi një presidente grua.

“Vajzat e kanë vendin vetëm aty ku ato çdo natë ëndërrojnë, aty ku ato punojnë me zell. Mos u ndalni, mos e ndalni hapin tuaj kurrë, çdo gjë është e mundur”, tha Osmani.

Tutje ajo tha se secili që dha më të shtrenjtët e familjes së tyre “sot shpërfaqin një faqe të re të historisë së Kosovës. Bashkë e kemi kthyer dhimbjen në fuqi”.

“Historia jonë është histori e përpjekjeve të përbashkëta, është histori e përkushtimit dhe sakrificës  njerëzore”, shtoi presidentja.

Po ashtu, duke thënë se historia e Kosovës krahas dhimbjes “është histori e shpresës”, ajo thekson se “do tu jemi mirënjohës përjetësisht atyre që qëndruan krahë nesh, tri shtyllave në të cilat jemi mbështetur fort, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë”.

Po ashtu, si drejtuese e institucionit më të lartë, ajo shfrytëzoi rastin t’i ftojë të gjithë politikanët të bashkëpunojnë, bashkëpunim ky që ajo uron të jetë i përhershëm.

“Sfidat janë të shumta sidomos pandemia e cila kërkon që të jemi bashkë që ta luftojmë atë, të qëndrojmë pranë njëri tjetrit, fitorja është e përbashkët dhe vetëm të bashkuar do të mund ta bëjmë të pamundurën, të mundur”, u shpreh ajo.

Sipas saj, kjo ditë, është dita e Kosovës, sepse duke respektuar vullnetin e qytetarëve po vuloset shembulli më i mirë dhe po ashtu “është dita kur dëshmojmë se me vendosmëri dimë t’i përballojmë sfidat”.

“Na priftë e mbara”, përfundoi Osmani.

Me 71 vota pro nga 82 gjithsejtë sa ishin në kuti, Vjosa Osmani është zgjedhur Presidente e Kosovës.

Ajo është gruaja e dytë që votohet nga Parlamenti i Kosovës për këtë post dhe presidenti/ja e gjashtë me radhë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore