Lajme

Osmani shpreh ngushëllime për humbjen e jetës së tre anëtarëve të familjeve Pacolli dhe Visoka


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të dielen ka shprehur ngushëllime për familjet Pacolli dhe Visoka, pas aksidentit tragjik që ndodhi të shtunën në rrugën Shkup – Bllacë, ku për pasojë kanë mbetur të vdekur tre persona, qytetarë të Kosovës.

“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të tre anëtarëve të familjeve tuaja. Në këto çaste të rënda për familjet tuaja, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë për përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për ta!”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentes Osmani.

Presidentja Osmani, gjithashtu i ka uruar shërim të shpejtë, Shkëlqimit, të vetmit të mbijetuar nga ky aksident dhe ka falënderuar ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim, si dhe ekipin e kërkim-shpëtimit nga Maqedonia e Veriut për angazhimin e tyre.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella pas aksidentit tragjik që ndodhi të shtunën në rrugën Shkup – Bllacë, ku për pasojë kanë mbetur të vdekur tre persona.

“Sapo u njoftova nga autoritetet tona se vetura e aksidentuar mbrëmë dhe e rënë në lumin Lepenc në Shkup është gjetur dhe në të janë trupat e pajetë të tre qytetarëve tanë. Shkëlqimit i cili i mbijetoi këtij aksidenti i uroj shërim sa më të shpejtë e forcë për të përballuar dhimbjen e humbjes së prindërve e vëllaut të tij”, shkroi Kurti.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Pacolli dhe Visoka të cilët humbën familjarët e tyre. Ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin prej nesh”, tha ndër të tjera kreu i ekzekutivit, ndërsa falënderoi ekipet e kërkim-shpëtimit, të cilët nxorrën në sipërfaqe veturën, pas më shumë se 24 orë kërkimesh.

“Falënderoj përzemërsisht ekipet tona profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar”.

Vetura e aksidentuar është gjetur në lumin Lepenc të dielen, rreth 200 metra larg vendit të aksidentit tragjik ku janë përfshirë një veturë e tipit Volkswagen me targa të Maqedonisë së Veriut dhe një veturë BMW me targa të Kosovës, me të cilën po udhëtonin katër persona, shtetas të Kosovës.

Ndërkaq, autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se kanë arrestuar të dielen shoferin e automjetit me targa të Shkupit (64-vjeçar) nën dyshimin se është përfshirë në aksidentin e trafikut, ku si pasojë automjeti me targa të Kosovës kishte rënë në lumin Lepenc.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore