Kosova

Osmani: Serbia s’dëshiron marrëveshje me Kosovën


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se Kosova gjithnjë ka qenë pala konstruktive në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Por përshtypja sipas saj është që pala serbe nuk është e interesuar të arrijë një marrëveshje.

“Lidhur me dialogun, Kosova gjithnjë ka qenë pala konstruktive në këtë proces por përshtypja jonë është se Serbia nuk është e interesuar të arrijë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Kosovën dhe në këtë proces që për Kosovën njohja reciproke është ajo që duhet të jetë në qendër të këtij procesi”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Sipas saj, Serbia përmes strukturave ilegale në veri po vazhdon të destabilizojë Kosovën, e po ashtu edhe rritja e ndikimit rus paraqet kërcënim për de-stabilizim të mëtejmë të rajonit.

“Për fat të keq fqinji ynë verior nuk e dëshiron një Ballkan Perëndimor stabil dhe në paqe andaj po përdorë retorikë dhe veprime të ndryshme që po e stabilizojnë rajonin për këtë shpresojmë që BE do të jetë e qartë në raport me Serbinë dhe do të kërkojë të ndërprejë retorikën nxitëse dhe atë de stabilizuese”.

“Serbia po vazhdon që përmes strukturave ilegale në veri të vendit tonë të destabilizojë Kosovën dhe po ashtu rritja e ndikimit rus paraqet një kërcënim për destabilzim të mëtejmë të rajonit, sepse kjo rritje e ndikimit rus asnjëherë nuk ka pasur qëllim të mirë po ka për qëllim të luftojë sisteme të bazuara në vlera që janë BE dhe NATO”, shtoi ajo.

Osmani ka kërkuar nga Pahor që t’i bindë shtetet që po hezitojnë për t’ia hequr vizat qytetarëve të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor

“Liberalizimi i vizave është vonuar për qytetarët e Kosovës dhe kjo e dëmton kredibilitetin e Bashkimit Evropian, andaj ky liberalizim duhet të ndodhë sa më parë dhe nuk ka më arsye për hezitimin, dhe për këtë e falënderoj Pahor për mbështetjen e fuqishme dhe i kërkoj përkrahje të mëtejme që të binden ato pak shtete sa i përket këtij procesi”, është shprehur Osmani.

Sa i përket iniciativës së Ballkanit të Hapur, Pahor thotë se “nëse shtetet brenda Procesit të Berlinit apo brenda Ballkanit të hapur të bashkëpunonin ekonomikisht, mund të kishin ardhur deri te zgjidhja e disa problemeve”.

Kurse, Osmani ka treguar edhe një herë pse Kosova nuk pranon të bëhet pjesë e një iniciativë të tillë, që sipas saj rolin kryesor në të po tenton ta luajë Serbia.

“Për ne Ballkani i Hapur është një hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe. Në këtë moment që Serbia po tenton ta luajë rolin kryesor në këtë inciativë, nuk ka qëllime të mira për rajonin tonë. Përderisa synon që Kosova të hyjë në iniciativa të tilla si provincë e saj, natyrisht që kjo iniciativë nuk i shërben vendit tonë e as rajonit”, tha ajo.

Siç theksoi Osmani, përderisa Serbia synon që Kosova të hyjë në iniciativa të tilla si provincë e saj gjë që nuk është, natyrisht se një iniciativë e tillë nuk i shërben interesave të vendit.

“Ka disa shqetësime të tjera që i kemi, kjo iniciativë ka shkelur parimin themelor të iniciativave rajonale, që është ai i gjithëpërfshirës, sepse kur është iniciuar ka qenë vetëm më dy shtete në fillim”.

“E dyta është shkelur parimi i trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve, dhe e treta kemi shqetësime edhe sa i përket faktit që do të shndërrohej në një paradhomë pritje dhe do tu jepte arsyetim skeptik BE-së, që të na lënë neve të merremi ne me njëri tjetrin për një kohë të gjatë në vend se të qartësohet perspektiva jonë evropiane”.

Ndërkaq, Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor, ka deklaruar se BE duhet t’ia liberalizojë vizat për Kosovën.

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor

“Sllovenia e mbështet perspektivën euro atlantike të Kosovës, Sllovenia e ka pranuar subjektivitetin e Kosovës dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike dhe politike me të, Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së”, ka thënë Pahor.

Sipas Pahor, Sllovenia e mbështet dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe pret hapa konkrete në çështjen e personave të zhdukur.

“Duhet të tejkalohen mosmarrëveshjet në dialog dhe të ndikojmë në BE, dialogu nuk është i thjeshtë duhet të zgjidhen çështje shumë komplekse”, deklaroi tutje ai.

Presidenti slloven theksoi gjithashtu se dy palët duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Fillimi i dialogut ka dhënë një bindje që çështjet më të rëndësishme mund të zgjidhen me dialog dhe rrugë të qetë. Kushti i parë është që t’i besohet dialogut dhe të respektohen marrëveshjet”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore