Kosova

Osmani niset drejt SHBA-së, merr pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën”.

Kështu ka njoftuar Zyra për Media e Presidentes, teksa është bërë e ditur se Osmani tashmë ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York, për të marrë pjesë në takimin e rradhës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zhvillimet në Kosovë”, thuhet nga Zyra e Presidentes.

Sipas këtij njoftimi, në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, Osmani do të paraqesë ta arriturat e deritashme të shtetit të Kosovës, sfidat dhe perspektivën.

Ndërkaq më 11 tetor, në prag të mbledhjes së radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet këtë të premte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zahir Tanin.

“Tanin prezantoi në pika të shkurta përmbajtjen e raportit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që do të prezantohet në Këshillin e Sigurimit. Raporti fokusohet në reformat e qeverisë, sundimin e ligjit, çështje të sigurisë si dhe gjendjen dhe menaxhimin e pandemisë”, thuhet në njoftimin për media.

Kurti e falënderoi Tanin për njoftimin rreth raportit dhe ngriti disa shqetësime lidhur me pluralizmin dhe demokracinë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Përfaqësuesi Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zahir Tanin

“Duke qenë në prag të zgjedhjeve lokale, është e rëndësishme që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike, ku secili qytetar i Republikës voton mbi bazën e bindjeve personale dhe nuk i nënshtrohet presionit dhe frikësimit dhe se kur raste të tilla janë prezentë ato duhet të monitorohen dhe raportohen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore