Lajme

Osmani në samitin e Pragës: Ditë e rëndësishme për Evropën


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka arritur në Çeki, ku pritet të mbahet Samiti i parë i Komuniteti Politik Evropian, i cili do të mbledhë krerë shtetesh nga 44 vende të kontinentit evropian.

Osmani para gazetarëve, para se të hyjë në sallën ku pritet të fillojë samiti në fjalë, ka thënë se nisma e propozuar nga ana e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, është e rëndësishme pasi që trajton barabartë të gjithë pjesëmarrësit.

“Është ditë e rëndësishme për kontinentin tonë. Jam këtu për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në këtë platformë të re e të rëndësishme ku të gjithë ne jemi të barabartë dhe do të kemi mundësinë për t’u dëgjuar zërat tonë, si dhe për të sjellë ide dhe për të marrë pjesë në veprime kur vjen puna te sfidat e përbashkëta”.

Osmani më tej para gazetarëve ka theksuar se sfidat me të cilat Kosova po përballet ka vështirësitë e veta.

“Nëse ne qëndrojmë të bashkuar, do të jemi në gjendje të kemi sukses në përballje me secilën sfidë”, ka shtuar ajo.

Më shumë se 40 liderë evropianë priten të mblidhen këtë të enjte të 6 tetorit në Pragë për takimin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian.

Por, ende mbetet e paqartë se çfarë përfaqëson dhe mund të arrijë kjo organizatë e re.

Ky takim i parë vjen vetëm pesë muaj pasi komuniteti u ngrit fillimisht nga presidenti francez, Emmanuel Macron, si një përgjigje ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe rishikimit të plotë gjeopolitik që ajo shkaktoi në kryeqytetet evropiane.

Më 9 maj, presidenti francez e nisi atë duke marrë një propozim të vjetër, të pa realizuar kurrë, nga François Mitterrand. Me një ndryshim thelbësor: ai i imagjinuar nga lideri socialist duhet të kishte përfshirë edhe Rusinë.

Kurse kjo e Macron, përkundrazi lind në një kontekst në të cilin shtetet e BE-së përpiqen t’i mbajnë fqinjët e tyre afër pikërisht për të bërë një front të përbashkët kundër kërcënimeve nga Moska.

Formati i ri kishte për qëllim gjithashtu të “qetësonte pendët e ngritura” të vendeve lindore kandidate për në Bashkimin Evropian.

Kjo pasi ato ishin të tronditura nga aplikimet e shpejta të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë për anëtarësim në union.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore