Kosova

Osmani: Modelet evropiane të prezantuara nga Lajçak’u s’kanë të bëjnë me Asociacionin


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se 15 modelet evropiane të prezantuara nga ana e të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk kanë të bëjnë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por janë modele të drejtash për pakicat kombëtare.

Sipas Osmanit modeli i respektimit të të drejtave të pakicave në Kosovë, është më i mirë se të gjitha modelet që janë përmendur nga diplomati sllovak Lajçak, duke shtuar se Prishtina është e gatshme t’i diskutojë elementet evropiane, të cilat janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Sa i përket modeleve evropiane që janë prezantuar, të 15-at nuk kanë të bëjnë me asociacione. Janë modele të drejtash për pakicat. Në disa jepen më shumë të drejta, e në disa më pak sesa që tashmë u jep Kosova komuniteteve joshumicë. I kemi analizuar të gjitha dhe ka elemente që mund të merren prej secilës prej tyre, por do të thosha që modeli më i mirë, shumë më i mirë se të gjitha ato 15, është ai që ka aktualisht Kosova. Jemi për të diskutuar elemente të tilla, në mënyrë që në Kosovë të kemi gjithëpërfshirje, diversitet e multietniciteti të jetë vlera jonë kushtetuese”, ka thënë Osmani, duke shtuar se Kosova “refuzon diçka që rrezikon mënyrën e funksionimit të sistemit demokratik”, ka thënë Osmani fillimisht.

Ndryshe nga Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë ka thënë se se këshilltarët e tij dhe disa nga ministrat e kabinetit qeveritar janë duke shqyrtuar 15 modelet evropiane për Asociacionin, të cilat ia ka ofruar Miroslav Lajçak.

Kurti deklaroi se nga këto modele të trajtimit të pakicave kombëtare brenda BE-së, do t’i marrin elemente që edhe pakicat në Kosovë të jenë në nivelin e duhur. Por, nënvizoi se nuk do të bëjë kompromis me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe funksionimin e shtetit.

“Janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtazi, disa më të hershme edhe para se të ekzistojë Bashkimi Evropian. Unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tonë…”.

“Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme. Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka që ne nuk bëjmë asnjëherë kompromis”, shtoi ai.

Albanian Post para disa ditësh publikoi ekskluzizvisht shembuj konkretë dhe modele evropiane në bazë të së cilave mund të formohet Asociacioni, ku ideja qendrore është që të ruhet karakteri unitar i shtetit të Kosovës.

Ekzistojnë pajisje të ndryshme me anë të cilave grupet mund të arrijnë autonomi të pjesshme brenda një shteti territorial ekzistues. Në një rast të veçantë kjo do të varet edhe nga karakteri i grupit të përfshirë dhe marrëdhëniet e tij me komunitetin shumicë.

Derisa në Evropën e rajoneve, sipas propozimit të Këshillit të Evropës, autonomitë nuk paraqesin kurrfarë problemi për funksionimin e shteteve përkatëse, në Ballkanin Perëndimor autonomitë zakonisht kuptohen si para-shtete që presin momentin për t’u proklamuar si të pavarura.

Ekskluzive: Të gjitha modelet evropiane që u shqyrtuan për të formuar Asociacionin “sui generis” në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore