Lajme

Osmani: Me vendet aleate si Malta, pozita e Kosovës vetëm do forcohet


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropës, Evarist Bartolo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Maltë, ka bërë të ditur se është takuar edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropës, Evarist Bartolo.

Osmani këtë e ka bërë të ditur përmes një cicerime në rrjetin social ‘Twitter’, në të cilin është shprehur se pozita ndërkombëtare e Kosovës vetëm do të forcohet.

“Një takim i shkëlqyer me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropës, Evarist Bartolo. E falënderova atë për qëndrimin e vazhdueshëm për Kosovën dhe mbështetjen e përpjekjeve tona për integrimin në BE. Jam e sigurt se me vendet aleate si Malta, pozita jonë ndërkombëtare vetëm do të forcohet”, ka shkruar presidentja Osmani.

Me 2 mars, Osmani, është pritur nga homologu i saj, George Vella, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e Kosovës në drejtimin e anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

Vjosa Osmani dhe George Vella

“Në ditën e parë të qëndrimit në Maltë, u prita nga Presidenti i Republikës së Maltës, Dr. George Vella, të cilin e falënderova për mbështetjen që ky vend i ka dhënë Kosovës që nga shpallja e pavarësisë dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe tani në drejtim të anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian dhe në organizata ndërkombëtare”, ka shkruar Osmani, në rrjetin e saj social në Facebook.

Ndryshe, Osmani një ditë më parë u prit me nderime të larta nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë vizitës së saj zyrtare në Turqi.

Osmani, pas takimit privat me presidentin turk, në një konferencë për media, kishte kërkuar mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore