Lajme

Osmani kërkon lehtësim të procedurave për marrjen e shtetësisë për shqiptarët e Luginës


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka folur për diskriminimin që Serbia ua bënë shqiptareve në Luginë të Preshevës, derisa ka kërkuar që të lehtësohen procedurat për marrjen e shtetësisë së Kosovës për shqiptarët e asaj pjese.

“Në të njëjtën kohë kam vazhduar të ngrisë zërin kudo në takime ndërkombëtare çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen çdo ditë me diskriminim mbi baza etnike në Serbi”, tha fillimisht Osmani, duke treguar angazhimin e saj në këtë çështje.

Ajo deklaroi se ka kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare “kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave me qëllim të ndryshimit të demografisë”, shqetësim ky që së fundmi është ngritur edhe në Senatin Amerikan.

“Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre elementare”, shtoi.

Sipas presidentes, ka qenë e “pafalshme” që për vite të tëra proceduarat për marrjen e shtetësisë për shqiptarët nga Lugina e Preshevës kanë qenë të njëjta me ato që vijnë nga kontinente të largëta.

Prandaj, njoftoi Osmani, “kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedura për marrjen e shtetësisë për bashkëkombësit tanë nga Lugina e Preshevës dhe shpresoj që ky propozim të përkrahet nga ju sa të vijë në kuvend”.

Tutje, e para e vendit ka deklaruar se aktualisht është shumë e rëndësishme që shqiptarët në rajon ta unifikojnë politikën e jashtme në të gjithë organizmat ndërkombëtar.

Osmani theksoi se Shqipëria është “zëri ynë atje ku nuk kemi përfaqësim”, kësisoj bëri thirrje që pavarësisht dallimeve eventuale, të ketë koordinim të vazhdueshëm.

“Andaj, pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje, ne duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe të konsiderojmë shtetin shqiptar jo vetëm shtet simotër, por aleat strategjik të fuqishëm në përballje me sfidat që i kemi përpara”, tha Osmani.

Procesi i dialogut po bëhet më i vështirë, Asociacioni s’duhet të jetë një pushtet i ndërmjetëm, thotë Osmani

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore