Lajme

Osmani ia tregon Peach-it situatën e sigurisë në Veri


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe i dërguari i posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë, “me theks të veçantë në veriun e vendit”.

Përmes një komunikate për media, është thënë se Peach dhe Osmani kanë diskutuar edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe mbi sfidat e sigurisë në rajon dhe përtej”.

“Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën. Tutje, Presidentja Osmani ritheksoi se përmes mekanizmave të ndryshëm që i ofron Këshilli do të mundësohej mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim”, thuhet në komunikatë.

Teksa shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim.

I Dërguari Special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, është duke qëndruar në Kosovë, ku është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, me të cilët ka biseduar për sigurinë rajonale.

Ndryshe, Peach, më 5 mars, kishte inkurajuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të ulen bashkë, në mënyrë që ecet para për të mirën e të dyja vendeve.

Këto komente, Peach i kishte bërë në një intervistë për “AtlanticCouncil”, përkatësisht gazetaren Ilva Tare, ku kishte folur për problemet në Ballkanin Perëndimor, në theks të veçantë në Bosnje e Hercegovinë dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

“I njoh mjaftë mirë këta dy burra [Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç-in]. I inkurajoj që të ulen së bashku që të ecet përpara për të mirën e të dyja vendeve”, ka deklaruar Peach.

Top-diplomati britanik ka theksuar se vendi që ai përfaqëson mbështet të gjitha përpjekjet për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, duke e konsideruar procesin si shumë të rëndësishme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore