Lajme

Peach takon Kurtin e Osmanin, flasin për sigurinë rajonale dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës


Albin Kurti dhe Stuart Peach

I Dërguari Special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, është duke qëndruar në Kosovë, ku është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, me të cilët ka biseduar për sigurinë rajonale.

Lajmi është bërë i ditur nga ambasada e Mbretërisë së Bashkuara në Kosovë, përmes një postimi në platformën X, ish-Twitter.

Stuart Peach dhe Albin Kurti

“Sot po e mirëpresim të dërguarin e kryeministrit të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor në Kosovë. Ai filloi me takime me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti duke mbuluar sigurinë rajonale, integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe çështjet bilaterale”, kanë shkruar nga ambasada britanike.

Për takimin Kurti-Peach, ka njoftuar edhe zyra e kryeministrit. Ata kanë bërë me dije se zhvillimet në rajon, me theks në sundimin e ligjit dhe sigurisë, ishin temë e diskutimit dhe e interesimit të përbashkët.

Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se “ligjshmëria dhe siguria shkojnë bashkë”.

Në takim u diskutua edhe për sigurinë e Kosovës. Kurti theksoi rëndësinë e sigurisë së kufirit me Serbinë, prej nga edhe vjen agresioni ndaj Kosovës, siç edhe u dëshmua në shtatorin e vitit të kaluar.

Gjatë bisedës, kryeministri Kurti gjithashtu ndau me Lord Peach reflektimet e tij për vizitën që kishte në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, si dhe takimet në Irlandën e Veriut në fund të muajit shkurt të këtij viti.

Ai falënderoi Lord Stuart Peach për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë.

Përveç Kurtit dhe Osmanit, Peach është takuar edhe me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka thënë se me top-diplomatin britanik ka diskutuar rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, zhvillimin e FSK-së si dhe operacionin Interflex që po zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar me pjesëmarrje dhe të trupave të FSK-së.

“E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka ofruar Kosovës në çështje të sigurisë, ruajtjes së integritetit territorial, veçanërisht me shtimin e trupave të saj në kuadër të KFOR-it pas sulmit në Banjë”, potencoi.

Maqedonci ka bërë me dije se në takim ka theksuar se “jemi të përkushtuar në ruajtjen e stabilitetit dhe përmbushjen e synimit tonë si shtet për anëtarësim në NATO dhe BE”.

Ndryshe, Peach, më 5 mars, kishte inkurajuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të ulen bashkë, në mënyrë që ecet para për të mirën e të dyja vendeve.

Këto komente, Peach i kishte bërë në një intervistë për “AtlanticCouncil”, përkatësisht gazetaren Ilva Tare, ku kishte folur për problemet në Ballkanin Perëndimor, në theks të veçantë në Bosnje e Hercegovinë dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

“I njoh mjaftë mirë këta dy burra [Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç-in]. I inkurajoj që të ulen së bashku që të ecet përpara për të mirën e të dyja vendeve”, ka deklaruar Peach.

Top-diplomati britanik ka theksuar se vendi që ai përfaqëson mbështet të gjitha përpjekjet për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, duke e konsideruar procesin si shumë të rëndësishme.

“Ne vazhdojmë që të mbështesim të dyja, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, dhe do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet për normalizimin, pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi.

Kjo, sipas tij, “është një çështje shumë e rëndësishme në rajon”.

“Ne nuk jemi brenda ndërmjetësimit të BE-së, por e mbështesim atë, dhe gjithashtu mbështesim të dyja qeveritë, i thërrasim ato që të punojnë bashkë, dhe kjo mund të bëhet në shumë forma, dhe unë përfshij në të, natyrisht, punën së bashku për një të ardhme multietnike, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, potencoi.

E rëndësishme për momentin, sipas Peach-it, është fakti që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është duke vazhduar.

“Ne duhet ta inkurajojmë dhe të lejojmë që ky proces të vazhdojë”, pohoi ai, teksa sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, tha se “të dyja palët duhet t’i respektojnë marrëveshjet e arritura”.

“Duhet të ecet përpara drejt normalizimit. Është shumë e rëndësishme për ta ardhmen e rajonit”, mendon.

Sa i përket përsëritjes së sulmit terrorist në Banjë, diplomati britanik kishte thënë se “jo nuk kam frikë”, se mund të ketë një skenar të ngjashëm.

“Dua të ia kujtoj secilit se sipas Rezolutës së Kombeve të Bashkuara, Kosova është e mbrojtur nga forcat e NATO-s, KFOR. Ne vazhdojmë ta mbështesim misionin e KFOR-it”, potencoi Peach.

Në përgjigje të sulmit terrorist dhe paramilitar më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit, në tetor të vitit të kaluar Mbretëria e Bashkuar mori vendim për dislokimin e 200 ushtarëve shtesë nga Regjimenti Mbretëror i Batalionit të Parë të Princeshës së Uellsit, që ju bashkuan misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Peach: Kurti dhe Vuçiç të ulen bashkë, të çojnë përpara të ardhmen e të dy vendeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore