Lajme

Peach: Kurti dhe Vuçiç të ulen bashkë, të çojnë përpara të ardhmen e të dy vendeve


Stuart Peach

I Dërguari Special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka inkurajuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të ulen bashkë, në mënyrë që ecet para për të mirën e të dyja vendeve.

Këto komente, Peach i ka bërë në një intervistë për “AtlanticCouncil”, përkatësisht gazetaren Ilva Tare, ku ka folur për problemet në Ballkanin Perëndimor, në theks të veçantë në Bosnje e Hercegovinë dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

“I njoh mjaftë mirë këta dy burra [Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç-in]. I inkurajoj që të ulen së bashku që të ecet përpara për të mirën e të dyja vendeve”, ka deklaruar Peach.

Top-diplomati britanik ka theksuar se vendi që ai përfaqëson mbështet të gjitha përpjekjet për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, duke e konsideruar procesin si shumë të rëndësishme.

“Ne vazhdojmë që të mbështesim të dyja, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, dhe do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet për normalizimin, pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi.

Kjo, sipas tij, “është një çështje shumë e rëndësishme në rajon”.

“Ne nuk jemi brenda ndërmjetësimit të BE-së, por e mbështesim atë, dhe gjithashtu mbështesim të dyja qeveritë, i thërrasim ato që të punojnë bashkë, dhe kjo mund të bëhet në shumë forma, dhe unë përfshij në të, natyrisht, punën së bashku për një të ardhme multietnike, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, potencoi.

E rëndësishme për momentin, sipas Peach-it, është fakti që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është duke vazhduar.

“Ne duhet ta inkurajojmë dhe të lejojmë që ky proces të vazhdojë”, pohoi ai, teksa sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, tha se “të dyja palët duhet t’i respektojnë marrëveshjet e arritura”.

“Duhet të ecet përpara drejt normalizimit. Është shumë e rëndësishme për ta ardhmen e rajonit”, mendon.

Sa i përket përsëritjes së sulmit terrorist në Banjë, diplomati britanik ka thënë se “jo nuk kam frikë”, se mund të ketë një skenar të ngjashëm.

“Dua të ia kujtoj secilit se sipas Rezolutës së Kombeve të Bashkuara, Kosova është e mbrojtur nga forcat e NATO-s, KFOR. Ne vazhdojmë ta mbështesim misionin e KFOR-it”, potencoi Peach.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore