Kosova

Osmani fillon vizitën në Iowa të ShBA-së


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas seancës së Këshillit të Sigurisë të OKB-së, ku u përballë me Kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka filluar vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Siç njofton zyra e presidentes, përveç takimit zyrtar me guvernatoren e Iowas, Kim Reynolds, Osmani do të ketë takim edhe me komandantin e  Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Stephen E.Osborn.

Ndër të tjera, e para e vendit do të zhvillojë vizitë në Camp Dodge, kampin që ka një histori të pasur dhe që përdorët si një strukturë stërvitore për divizionet e ushtrisë amerikane.

Bëhet me dije se në kuadër të vizitës në ShBA, Presidentja do të takohet me kryetaret e Des Moines, Norëalk, Fort Dodge, Council Bluffs, Johnston dhe Cedar Fallsit.

Gjatë vizitës, Osmani pritet të ketë një diskutim në Drake University dhe adresim në DMACC.

Po ashtu, ajo do të jetë folëse kryesore në ngjarjen e udhëhequr nga ambasadori Branstad, President i Fondacionit të World Food Prize, ku pritet ta dorëzoj edhe zyrtarisht çmimin e sivjetëm të World Food Prize.

Në fund të kësaj vizite Presidentja do të ketë takim me mërgatën shqiptare në ShBA.

Ndryshe, Osmani, gjatë fjalimit të saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ka thënë se më 24 shtator, Serbia kishte tentuar “një aneksim të Veriut të Kosovës në stil të Krimesë [2014]”, por këtë, sipas Osmanit, ia pamundësoi policia, “të cilët e mbrojtën integritetin territorial të vendit”.

“Kosova ishte cak i një akti të një agresioni nga Serbia dhe i grupeve terroriste paramilitare. Sot dua ta shfrytëzojë momentin për ta nderuar Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku i cili humbi jetën duke e mbrojtur integritetin territorial të Kosovës. Serbia deshi ta shihte Kosovën se si bëhej si Krimea, por u zu në befasi për shkak të përkushtimit të Policisë së Kosovës”, tha Osmani.

Vjosa Osmani gjate fjales se saj ne OKB

Për Osmanin, faktet janë të pamohueshme se Serbia ishte prapa sulmit terrorist të 24 shtatorit, derisa ka shtuar se “grupet terroriste dhe paramilitare janë financuar, trajnuar dhe armatosur nga një burim, Republika e Serbisë”.

“Siç tregojnë hetimet ka pasur trajnime të këtyre grupeve në baza ushtarake në Serbi. Ka edhe video-prova për këtë”, u shpreh e bindur Osmani.

E para e shtetit të Kosovës është shprehur e befasuar se si shteti i Serbisë e ka lënë të lirë kriminelin Milan Radojiçiç edhe pse ky i fundit e ka pranuar se ka marrë pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit ndaj Kosovës.

“Krimineli Milan Radojiçiç që haptas e ka pranuar që ka qenë në Banjë, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e afërt të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Radojiçiç edhe ulet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Serbi afër Vuçiç-it. Është person i lirë në Serbi edhe pse e ka pranuar që ka marrë pjesë në një sulm terrorist”, potencoi Osmani.

Osmani: Serbia e deshi Kosovën si Krimea, por u zu në befasi

Osmani në OKB: Kurti u torturua për vdekje në burgjet serbe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore