Lajme

OSBE: Raporti përfundimtar për zgjedhjet në Serbi publikohet në fund të shkurtit


Zëdhënësja e Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Katja Andrus, ka thënë se organizata do të bëjë çmos që të përfundojë raportin përfundimtar për zgjedhjet e dhjetorit në Serbi në javët e ardhshme dhe se publikimi i tij është pritet të bëhet në fund të shkurtit.

“Bisedat tona me njerëz të përfshirë në zgjedhje, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë dhe politikanë në të gjithë spektrin politik, si dhe shoqërinë civile dhe median, janë baza kryesore e informacionit që mbledhim dhe janë një element kyç i metodologjisë sonë të vëzhgimit të zgjedhjeve”, tha ajo për rrjetin ballkanik të lajmeve N1.

Sipas saj, raporti do të përmbajë vlerësimin e ODIHR-it për “të gjithë procesin zgjedhor si dhe rekomandime për përmirësimin e tij në të ardhmen, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Serbisë”.

“Përgatitja e raporteve përfundimtare të zgjedhjeve është një detyrë komplekse, në përputhje me procedurën tonë standarde, duhen muaj për tu finalizuar. Megjithatë, ne do të bëjmë çdo përpjekje për të përfunduar raportin në javët në vijim”, potencoi ajo.

Ndryshe, pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, ka thënë se zgjedhjet janë vjedhur dhe si rrjedhojë nuk do t’i njohin ato.

Edhe bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht vëzhguesit ndërkombëtare të këtyre zgjedhjeve kanë vënë në pah manipulimet që SNS-ja e Vuçiç-it i ka bërë në këtë proces zgjedhor.

Muajin e kaluar, një numër i madh qytetarësh kanë protestuar në qendër të Beogradit, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve.

Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor, por rezultatet sugjerojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin, ndërsa shumë eurodeputetë kanë bërë thirrje për hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë e raportuara, veçanërisht mbi votuesit ilegalë të ardhur nga pjesë të ndryshme të rajonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore