Lajme

Opozita kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme: Ta nxjerrim Kurtin dhe Kosovën nga drejtimi i gabuar


Abelard Tahiri dhe Ramush Haradinaj.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në seancën e parë të sesionit vjeshtor në fjalimin e tij ka përmendur produktet e qeverisjes Kurti, në këto dy vite e gjysmë.

Tahiri, në fjalimin e tij ka thënë se momentumi i nisjes së seancës të enjten shënon edhe përmbylljen e vitit të tretë të qeverisjes.

Ai tha se do të donte të fliste për sukseset gjatë këtij mandati, por që s’ka asnjë sukses as në ekonomi, arsim apo shëndetësi.

“Për këto tri vite nuk arritëm asnjëherë të shënojmë momente suksese e progresi, ne jemi kundërshtarë politikë por ia duam suksesin vendit tonë dhe do të donim që për këto vite të kishim pasur sado pak progres ekonomik, do të donim që të diskutonim për investimet në shëndetësi, infrastrukturë e cilësinë në arsim, por asnjëra nga këto tema nuk kanë zënë vend në legjislaturën tonë”, ka thënë Tahiri.

Si produkt të parë të keqpërdorimeve të ekzekutivit, ai ka përmendur kontratat një burimore me Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Në këto tri vite produkt i qeverisjes Kurti, kanë qenë keqpërdorimet e korrupsioni galopon në Korporatën Energjetike të Kosovës, me kontrata një burime që janë burim i korrupsionit e si të tilla kontrata të nënshkruara nga zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Nagip Krasniqi, arrin vlerën hiç më pak se 75 milionë euro, kontrata këto që pa dyshim s’kishin si të përfundonin ndryshe, vec që ky zotëri të përfundonte në Dubravë”.

Të dytin e ka rënditur ambasadorin në Kroaci, Martin Berishaj, si “shpërlarës të parave”.

“Produkt i qeverisjes së juaj për këto tri vite ka qenë ambasadori Martin Berishaj, shpëlarës i parave të pista të mafies energjetike serbe të cilat përfunduan në Kosovë dhe në Mal të Zi dhe i cili hiç më pak se 2 milionë euro tërhoqi para kesh në sy të institucioneve të shtetit dhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë përkrahje nga kryeministri Kurti e presidentja Osmani”, tha Tahiri.

Ndërsa të tretin dhe të katërtin e ka përmendur Faruk Mujkun dhe Ridvan Muharremin.

“Produkt i Qeverisjes Kurti, është edhe Faruk Mujku, zyrtar i LVV-së i arrestuar për korrupsion të cilit i gjenden para kesh rreth 60 milionë euro në shtëpi dhe i njëjti kishte deklaruar vetëm 500 euro në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe i njëjti vazhdon punën në njërën nga ndërmarrjet më të madhe publik”.

“Produkt i Qeverisjes suaj është vjedhja e rezerva shtetërore përmes mikut  të kryeministrit Ridvan Muharremit”.

Kërkesë e Tahirit,  pas të gjitha këtyre ka qenë që vendi të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Vendi të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme, kjo legjislaturë të shkoj në shtëpi”.

Edhe, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalimin e tij në parlamentin e Kosovës, ka thënë se dialogu dhe qeverisja në Kosovë janë “në rrugë të gabuar”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Rrugë e cila po i shkakton humbje dhe goditje Kosovës. Janë të shumta, i keni dëshmuar, shpjeguar shumë prej jush, po na i thonë mediat, po na thonë edhe aleatët tonë”, ka thënë Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se nëse heshtin ndaj kësaj situate po bëhen bashkëpjesëmarrjes të përkeqësimit të gjendjes në vend.

“Dita e sotme ku Kosova, si palë ulët e ndëshkuar me sanksione, duhet të na jep alarmin që të bashkojmë votën me mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti ta nxjerrim Kurtin dhe Kosovën nga drejtimi i gabuar”.

Kjo seancë është thirrur me kërkesë të deputetëve të opozitës dhe javën e shkuar ka dështuar të mbahet në mungesë të kuorumit, pasi që deputetët e pushtetit nuk kanë marr pjesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore