Opinione / Politikë

Kina si kamerdare shpëtimi për Rusinë, Vizita e Lavrov-it në Pekin


Sot, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov zbarkoi në Pekin. “Pritet një shkëmbim i thelluar i pikëpamjeve për një sërë temash të nxehta”, u tha më parë në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse, e cila citon atë që Moska dhe Pekini e quajnë “kriza ukrainase”.

Pas vizitës me Lavrov, ministri i Jashtëm kinez dhe shefi i diplomacisë së Partisë Komuniste, Wang Yi, sipas mediave publike ruse, tha se Kina synon të “forcojë bashkëpunimin strategjik” me Moskën (mendohet që është folur edhe për situatën në rajonin Azi-Paqësor) dhe të mbështesë “zhvillimin e qëndrueshëm të Rusisë nën udhëheqjen e Putin-it”.

Prej disa ditësh dihej se Lavrov do të mbërrinte për të takuar Wang Yi, por njoftimi zyrtar erdhi vetëm pak orë para mbërritjes së tij.

Supozime mund të bëhen për ta konsideruar kohën si një lloj reagimi pak a shumë të drejtpërdrejtë ndaj paralajmërimit të Yellen ose ndaj “shqetësimit” për marrëdhëniet kino-ruse të shprehura nga Joe Biden në bisedën telefonike me Xi Jinping javën e kaluar.

Por retorika kineze nuk duket se dëshiron të lërë hapësirë për këtë lloj supozimi. Në takim merr pjesë edhe ish-presidenti Tajvanez Ma Ying-jeou, i cili mund të takohet nesër me Xi-në. Tentativë kjo edhe një herë që Pekini bën për t’u shfaqur si një potencë e cila është në gjendje të flasë me të gjithë.

Ministria e Jashtme e Kinës tha se vizita e Lavrov ishte pjesë e “aktiviteteve normale diplomatike” midis dy vendeve dhe se qeveritë e tjera (referuar SHBA-ve) nuk duhet “të dëmtojnë të drejtat dhe interesat legjitime të Kinës dhe kompanive kineze. Edhe aq më pak duhet t’ia hedhin fajin Kinës ose të nxisin një konfrontim midis blloqeve”.

Herën e fundit që ministri i Jashtëm rus ka qenë në Pekin ishte në tetor 2023, në Forumin Kinez të Rrugës së Mëndafshit.

Kina e Xi Jinping, dëshiron të paraqitet si një palë “objektive dhe e drejtë” në konfliktin në Ukrainë, pavarësisht se ka nënshkruar për një miqësi “pa kufij” disa ditë para fillimit të pushtimit në shkurt 2022 me Moskën dhe gjatë dy viteve është kthyer në partnerin kryesor ekonomik të Rusisë.

Sigurisht që mardhëniet e Kinës me Uashingtonin dhe Moskën nuk janë të njëjta.

As 48 orë më parë, Sekretarja e Thesarit e SHBA-ve, Janet Yellen, pas vizitës së saj gjashtë ditore (hera e dytë që nga fillimi i vitit) në konferencën e saj për shtyp paralajmëroi Kinën për rrezikun e “pasojave të rënda” nëse konstatohej ndihma kineze për industrinë ruse të mbrojtjes.

Ajo përsëriti se SHBA-të “nuk do të pranojnë” një sërë mallrash kineze nën kosto. “Unë e di se këto shqetësime serioze ndahen nga aleatët dhe partnerët tanë”, shtoi ajo gjatë konferencës, duke hedhur idenë për taksa të reja doganore jo vetëm për çipat, por edhe për teknologjitë e reja të gjelbra. Një lëvizje që mund të ndiqet nga BE-ja për makinat elektrike.

Kina ndërkohë u zotua se nuk do të ofrojë armë ose ndihmë ushtarake për Moskën, pavarësisht se mban lidhje të forta ekonomike me Rusinë së bashku me Indinë dhe vende të tjera.

“Ne gjithmonë kemi kontrolluar eksportin e mallrave me përdorim të dyfishtë në përputhje me ligjin”, sqaroi Mao Ning, zëdhënësi diplomatik kinez, duke iu referuar mallrave industriale që mund të përdoren si për qëllime industriale ashtu edhe për ato ushtarake. “Vendi në fjalë”, përfundoi ai, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara, “nuk duhet të denigrojë apo sulmojë marrëdhëniet normale midis Kinës dhe Rusisë”.

Ndërkohë, Sekretari i Shtetit amerikan, Antony Blinken, së shpejti do të fluturojë drejt Kinës me qëllimin e qartë për të mbajtur hapur kanalet e komunikimit në konkurrencën mes dy superfuqive.

Jo më kot ai u fokusua në bashkëpunimin kino-rus gjatë mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të NATO-s javën e kaluar. Duke u bërë thirrje aleatëve që të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, Blinken shpjegoi se kjo është “veçanërisht e rëndësishme sepse disa vende (jo vetëm Kina, por edhe Irani dhe Korea e Veriut)  po ndihmojnë Rusinë të ndërtojë bazën e saj industriale të mbrojtjes dhe të vazhdojë agresionin e saj kundër Ukrainës”. Midis tyre, Kina “vazhdon të furnizojë materiale për të mbështetur bazën industriale të mbrojtjes ruse” duke nxitur “makinerinë e luftës së Putin-it që sulmon ukrainasit dhe kërcënon sigurinë evropiane”, theksoi ai.

Siç raportoi Bloomberg pak ditë më parë, mbështetja e Kinës për Rusinë është intensifikuar muajt e fundit, në fushën e shkëmbimit të të dhënave satelitore, por edhe në furnizimin e komponentëve mikroelektronikë dhe makinerive për prodhimin e tankeve, deri në karburant për raketa.

Megjithatë, do jetë e vështirë që Lavrov të kthehet nga Pekini duar bosh. Objektivi i misionit të tij është së pari të përgatisë në detaje vizitën e Vladimir Putin-it të planifikuar për në maj. Do të jetë i treti në pak më shumë se dy vjet, pas atij të shkurtit 2022 disa javë para pushtimit të Ukrainës dhe atij të tetorit të kaluar për forumin e Rrugës së Mëndafshit.

Kremlini bën të ditur se do të flitet për forcimin e bashkëpunimit brenda platformave shumëpalëshe: jo vetëm atë të Kombeve të Bashkuara dhe G20-ës, por gjithashtu dhe mbi të gjitha për BRICS (samiti i të cilit në 2024 do të jetë në Rusi, në Kazan) dhe Organizatën e Shangait. Të dy grupet po zgjerohen, me Moskën dhe Pekinin që i shohin gjithnjë e më shumë si një lloj anti-G7.

Putin dhe Xi bashkëndajnë këndvështrimin që sheh Perëndimin si dekadent dhe në rënie, ashtu si Kina sfidon supremacinë e SHBA-ve në shumë fusha, nga llogaritja kuantike dhe biologjia sintetike deri te spiunazhi dhe fuqia e fortë ushtarake.

Megjithatë, frontet kryesore strategjike do të mbeten në qendër të diskutimeve. Pak para largimit, Lavrov vlerësoi planin kinez për Ukrainën, i cili bën thirrje për mbrojtjen e “shqetësimeve legjitime të sigurisë” të të gjitha palëve, si dhe të Moskës.

Wang, nga ana e tij, ritheksoi se është pro negociatave dhe Pekini vazhdon të bëjë të qartë se angazhimi i tij për nxitjen e bisedimeve është i lidhur me pjesëmarrjen e Rusisë, si dhe të Ukrainës, në konferencën e ardhshme të paqes që duhet të mbahet në Zvicër.

Ndërkohë që fronti perëndimor do të duhet të ruajë solid mbështetjen ndaj Ukrainës, edhe pse nga mediat kineze flitet për një dobësim të tillë, vëmendje i duhet dhënë edhe implikimeve aziatike të vizitës së Lavrov.

Për Rusinë dhe Kinën, dhe se si kjo e fundit po e mbështet luftën e Putin-it kundër Ukrainës, Blinken dhe homologët e tij nga vendet e konsideruara miq, do të flasin gjithashtu në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të G7, të planifikuar së shpejti në Capri të Italisë.

Ministrat e Jashtëm të Amerikës, Japonisë, Kanadasë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë plus tre vende të ftuara (India, Brazili dhe Mauritania), do të kenë të paktën dy diskutime për Ukrainën, në një prej të cilave do të marrë pjesë gjithashtu Ministri i Jashtëm i Kievit, Dmytro Kuleba. Nuk do të diskutohet vetëm sistemi i ndihmës që do t’i ofrohet Ukrainës, por edhe problemi i shmangies së sanksioneve nga Moska. Një çështje kjo që asnjë qeveri evropiane e G7 nuk dëshiron ta trajtojë individualisht për të mos antagonizuar Kinën më shumë.

Nesër, Biden do të presë në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin japonez Kishida. Një ditë më pas, është planifikuar një takim trepalësh i paprecedentë me Presidentin e Filipineve Ferdinand Marcos Jr, në të cilin do të shpallen nisma të reja të përbashkëta të sigurisë pranë ujërave të diskutueshme midis Tokios, Manilës dhe Pekinit.

Në Detin e Kinës Jugore, këmbëngulja e Pekinit, i cili pretendon në mënyrë të paligjshme një pjesë të madhe të zonës së Paqësorit, thelbësor për rrugët tregtare ndërkombëtare, është kthyer në agresivitet kundër marinës, rojeve bregdetare dhe peshkatarëve filipinas.

Tokio dhe Uashingtoni duan të modernizojnë strukturën ushtarake të pranishme në Japoni dhe të forcojnë aleancat.

Japonia gjithashtu duket se do t’i bashkohet paktit Aukus, pakti i sigurisë midis Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Australisë, i cili angazhohet për zhvillimin e përbashkët të teknologjive të avancuara me qëllime të mundshme mbrojtëse.

Sigurisht ky nuk është lajm i mirë për Kinën.

Jo më kot Wang pas takimit me Lavrov theksoi se të dy vendet duhet të kundërshtojnë “hegjemonizmin” dhe “çdo ‘rreth të vogël’ që përfshihet në përplasjen e bllokut” dhe se “NATO nuk duhet të zgjasë dorën drejt atdheut tonë të përbashkët”.

 

 

 


Lajmet kryesore