Shqipëria

Olsi Rama paraqitet në SPAK, pas padisë së Gazment Bardhit


Olsi Rama, vëllai i kryeministrit shqiptar Edi Rama, është paraqitur pranë Prokurorisë së Posaçme SPAK, lidhur me një padi që kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë për të sa i takon çështjes Xibraka.

Më 16 maj, ishte vetë Olsi Rama, ai i cili ka paditur sërish në Prokurorinë e Posaçme SPAK kreun e Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.

Kjo, pas akuzave që Bardhi i ka bërë Olsi Ramës, se ky i fundit është i përfshirë në dosjen e njohur si Xibraka, e cila trajton trafikimin e lëndëve narkotike dhe prodhimin e tyre në një laborator në periferi të Tiranës.

“Në cilësinë e kallëzuesit, unë Ols Rama, jam vënë në dijeni për një deklaratë publike të shfaqur në median online ndaj personit tim, të bërë nga një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i kallëzuari Gazment Bardhi”, shkruhet në dokumentin e ri të depozituar nga Rama.

Më 2 prill, ai e kishte paditur po ashtu Bardhin rreth të njëjtës çështje, por SPAK nuk e mori parasysh, pasi nuk rezultonte që demokrati të kishte referuar një padi ndaj Olsi Ramës dhe rrjedhimisht nuk mund të niste procedim kundër Bardhit.

Më tej, në dokumentin e ri, shkruhet se për arsye se veprimi i Bardhit, në vlerësimin e Ramës, përbën vepër penale, ai po e paraqet sërish kallëzimin ndaj Bardhit.

Mes të tjerash në padi sqarohet se: “Kërkoj regjistrimin e procedimit penal në ngarkim të z. Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal. 2. Marrjen e akteve të materialit të kallëzimit penal nr. 68, datë 9.4.2024, të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Tiranë, sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal”.

Më 2 prill, Olsi Rama, drejtori i përgjithshëm i klubit sportiv Partizani, vëllai i kryeministrit të vendit, Edi Rama, ka paditur pranë Prokurorisë së Posaçme SPAK kreun e Grupit Parlamentar të Rithemelimit, Gazment Bardhi, lidhur me rastin “Xibraka”, ku sipas Ramës, ligjvënësi shqiptar ka kryer një kallëzim të rremë mbi të.

Në bazë të një shkrese siguruar nga Albanian Post lidhur me “kundër-kallëzimin” e bërë nga Olsi Rama, ky i fundit argumenton se Bardhi ka bërë deklarata të papërshtatshme gjatë emisionit televiziv Opinion lidhur me të, të cilat përbëjnë edhe veprën penale “Kallëzimi i rremë”.

Bardhi, gjatë emisionit të përmendur, e lidh figurën e Olsi Ramës me një rast të njohur si “Xibraka”, i cili ka të bëjë me një laborator të përpunimit të kokainës.

Bardhi po ashtu ka thënë më 29 mars se ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme SPAK prova të bëra publike, të cilat lidhin vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, me laboratorin e drogës në Xibrakë.

Vetë Olsi Rama i ka quajtur akuzat një “mizerabilitet njerëzor” dhe Bardhin e ka etiketuar edhe si “kanakarin e sharlatanit famëkeq (Berishës) që ka sulmuar me qindra herë familjen Rama”.

Gjithashtu ai shtoi asokohe se nuk është përfshirë ndonjëherë në politikë, pavarësisht se vëllai i tij Edi Rama qeveris vendin. Akuzat për drogë i konsideron të vërteta aq sa lidhje ka i paburri (Bardhi) me të vërtetën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore