Lajme

OKB-së i kërkohet të ndërhyjë për shkatërrimin e të drejtave të abortit në SHBA


Organizatat e të drejtave të njeriut po i bëjnë thirrje Kombeve të Bashkuara që të ndërhyjnë për shkatërrimin e të drejtave të abortit në SHBA.

Në një letër të dërguar nga afro 200 organizata dhe ekspertë, autorët detajojnë se si, që nga përmbysja e së drejtës kushtetuese federale për abortin në qershor 2022, rreth 22 milionë gra dhe vajza të moshës riprodhuese jetojnë në shtete ku aksesi për abortin është ose i ndaluar ose i paarritshëm.

Midis nënshkruesve janë Qendra Globale e Drejtësisë, Pregnancy Justice, Amnesty International dhe Human Rights Watch.

Atyre u bashkohet një koalicion më i gjerë grupesh dhe avokatësh individualë për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë racore dhe ekonomike.

Grupet pretendojnë se përmbysja e së drejtës kushtetuese për abortin bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të SHBA-ve si një organizatë anëtare e OKB-së.

Kjo pasi shtetet anëtare janë të detyruara të mbrojnë dhe mbështesin të drejtat për jetën, shëndetin, privatësinë, lirinë dhe sigurinë, së bashku me liritë nga tortura dhe trajtimi çnjerëzor, mizor ose poshtërues.

“SHBA-të duhet të ndëshkohen në skenën botërore për trajtimin e grave dhe vajzave, shkalla dhe intensiteti i shkeljeve të të drejtave të njeriut që SHBA po i shkakton popullatës së vet janë thuajse të pakuptueshme në këtë pikë”, ka thënë Christine Ryan, drejtore ligjore e Qendrës Globale të Drejtësisë.

Sipas autorëve të letrës, kufizimi i të drejtave të abortit në SHBA është një pjesë e historisë së vendit që zhvlerëson jetën e grave me ngjyrë, të cilat janë goditur më keq nga kufizimet e abortit.

Annerieke Smaak Daniel, studiuese për të drejtat e grave në Human Rights Watch ka thënë se “kufizimet e abortit përbëjnë barriera ekonomike, sociale dhe gjeografike për kujdesin shëndetësor, duke përfshirë kontracepsionin, duke ndikuar në mënyrë disproporcionale në aftësinë e grave me ngjyrë për të aksesuar kujdesin që nevojitet”.

Letra iu drejtua një numri agjencish dhe zyrtarësh të OKB-së, duke përfshirë Grupin e Punës për Diskriminimin ndaj Grave dhe Vajzave; Raportuesi Special për Torturën dhe Trajtimet ose Ndëshkimet e tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese; dhe Raportuesi Special për të Drejtën e Privatësisë.

Nënshkruesit kërkojnë nga marrësit të komunikojnë me SHBA-të për këto shkelje, të kërkojnë një vizitë zyrtare në SHBA dhe t’i kërkojnë vendit që të respektojë detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar si një vend anëtar i OKB-së.

Sakaq, përfundimi i së drejtës kushtetuese për abort ka pasur rreziqe të gjera dhe në disa raste kërcënuese për jetën, shkruajnë autorët.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore