Lajme

Oda e avokatëve të gjobitur nga AIP: Nuk kemi bërë asnjë shkelje ligjore


Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka shqiptuar gjobë ndaj Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), për mos zbatim të vendimit të AIP-së, i cili ka obliguar këtë institucion të ofrojë qasje në dokumente publike, sipas kërkesës së palës, në pajtim me dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike.

“Ka qenë një kërkesë për qasje në procesverbalet e mbledhjeve të këshillit drejtues të Odës së Avokatëve”, ka deklaruar Besim Abdullahu zëdhënës i OAK për Albanian Post duke treguar kërkesën për çka kanë janë gjobitur.

Abdullahu ka shtuar se kjo kërkesë e Agjencisë për Informim dhe Privatësi ishte e paligjshme dhe rrjedhimisht nuk kanë mundur t’u japin qasje në dokumentet e kërkuara.

“Në bazë të ligjit, këto organe janë të mbyllura për publikun, nuk janë publike dhe në bazë të atij ligji ne nuk kemi mund t’i dërgojmë ato proces verbale sepse praktikisht do ti binte që të hapeshin ato mbledhje”, ka shpjeguar Abullahu për Albanian Post.

Edhe pse akoma nuk e kanë pranuar fizikisht vendimin për gjobitje, Abdullahu thotë se Oda e Avokatëve do të shfrytëzoj të gjitha mjetet ligjore në Gjykatë.

“Ne kemi hap kontest administrativ dhe jeni në procedura gjyqësore me agjencinë”.

Abdullahu ka treguar se kishin raporte të mira me Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe kanë bashkëpunuar në të gjitha kërkesat paraprake në të cilat nuk bëheshin shkelje ligjore.

“Këtij agjencioni ju kemi dhënë vazhdimisht, por këto dokumente jo sepse nuk janë për publikun. Çdo kërkesë që ka ardhur në Odë për çështje specifike ua kemi dhënë, jemi për transparencë të plotë”, ka thënë Abdullahu.

Gjoba që ka marrë Oda e Avokatëve të Kosovës është 3000 euro dhe duhet të paguhet brenda 30 ditëve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore