Kosova

Oda Amerikane kritikon ashpër sulmet verbale të Qeverisë ndaj Kushtetueses


Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe flamuri i Kosovës.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ka shprehur shqetësim për shkak të sulmeve të fundit verbale të liderëve të Qeverisë ndaj institucioneve të pavarura gjyqësore, me theks të veçantë tek Gjykata Kushtetuese, një ditë pasi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, akuzoi Kushtetuesen se ka “tendenca për ta përmbysur vullnetin e qytetarëve”.

“Institucionet e Kosovës kanë obligim të vazhdueshëm që të respektojnë sundimin e ligjit në të gjitha rrethanat, duke shmangur në këtë mënyrë ushtrimin arbitrar të pushtetit”.

Përmes një komunikate dërguar mediave ata kanë rekomanduar që institucionet e pavarura të veprojnë pa ndërhyrje me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit demokratik.

“Deklaratat që cenojnë këto institucione janë të papranueshme, meqë shkelin parimin e ndarjes së pushteteve dhe gërryejnë vlerat demokratike, për ndërtimin e të cilave, Kosova ka punuar shumë. Është detyrë e të gjitha palëve të interesit dhe zyrtarëve politikë të respektojnë kornizën kushtetuese dhe ligjore të shtetit”.

Thirrja e Odës Amerikanë ka qenë që të respektohet mesazhi që në të kaluarën u ishte është bërë edhe misioneve diplomatike, organizatave ndërkombëtare për respektim të vendimeve gjyqësore.

Sipas tyre ky respekt është “kritik për të ardhmen demokratike të Kosovës”.

“Ekzekutivi dhe të gjithë hisedarët politikë duhet të njohin dhe respektojnë pavarësinë e të gjitha shtyllave të pushtetit, duke përfshirë gjyqësorin, median, shoqërinë civile, sektorin privat dhe organet e pavarura rregullative”.

Oda ka sqaruar se mbajtja e këtyre parimeve siguron llogaridhënie dhe transparencë, të cilat janë jetike për ndërtimin e besimit publik, rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve, përmirësimin e qeverisjes, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive dhe parandalimin e abuzimit me pushtetin.

Për dy ditë Gjykata Kushtetuese i ka shpallur dy vendime të Qeveisë si antikushtetuese – njëri për shkarkimin e anëtarës së Organit Shqyrtues të Prokurimit e tjetri për Ligjin për Byronë Shtetërore.

Në këtë ligj u gjetën plotë 10 pika në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Për tri vjet, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, e shkeli Kushtetutën për 8 herë radhazi.

Qeveria Kurti me rekord të shkeljeve të Kushtetutës që nga paslufta

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore