Lajme

OBSH do të përdorë termin “mpox” në vend të lisë së majmunit për të shmangur stigmën


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të fillojë të përdorë “mpox”, një term i ri për linë e majmunëve.

Kjo vjen në një përpjekje për të shmangur racizmin dhe stigmatizimin që rrjedh nga emri ekzistues.

Më parë, OKB-ja ka kritikuar disa mbulime mediatike duke paralajmëruar se gazetaria e dobët mund të “përforcojë stereotipet homofobike dhe raciste dhe të përkeqësojë stigmën”.

Për herë të parë, sëmundja u zbulua te njerëzit në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos, me përhapjen midis njerëzve që nga ajo kohë e kufizuar kryesisht në disa vende të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore.

Një rritje e infektimeve nga lija e majmunëve është raportuar që nga fillimi i majit, kryesisht te meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj të tjerë, jashtë vendeve afrikane ku ajo ka qenë prej kohësh endemike.

Sakaq, OKB-ja ka sugjeruar kufizimin e numrit të partnerëve seksualë për të ulur rrezikun e transmetimit.

Në maj, rastet e sëmundjes – e cila shkakton ethe, dhimbje muskulore dhe lezione të mëdha të lëkurës – filluan të përhapen me shpejtësi në mbarë botën.

OBSH-ja shpalli përhapjen e lisë së majmunëve një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar (PHEIC), niveli më i lartë i alarmit të organizatës globale shëndetësore.

Po ashtu nisi një proces konsultimi publik për të gjetur një emër të ri për sëmundjen në fillim të këtij viti dhe mori më shumë se 200 propozime.

Një nga sugjerimet më të njohura publike ishte “mpox”, i paraqitur nga organizata REZO.

SHBA-të, të cilat janë ndër vendet që mbështesin ndryshimin e emrit, e mirëpritën njoftimin.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të thyer barrierat për shëndetin publik dhe zvogëlimi i stigmës që lidhet me sëmundjen është një hap kritik në punën tonë për t’i dhënë fund mpox-it”, ka thënë Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA-ve, Xavier Becerra.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore