Shqipëria

“Nuk ka më mik, gjoba ju vjen në shtëpi”


Të dielën e 3 tetorit ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka prezantuar një “makinë inteligjente”, e cila do të monitorojë shkeljet e shpejtësisë gjatë qarkullimit rrugor.

Çuçi nga një segment që lidh Tiranën me Elbasanin, bëri me dije se kjo pajisje, prodhim gjerman, do të punojë ditë natë dhe “nuk njeh mik, nëse shkelni rregullat gjoba ju vjen në shtëpi”.

“Kjo pajisje është teknologjia e fundit që përdoret sot në vendet perëndimore. Ajo kap në mënyrë të pandërprerë të gjitha shkeljet që ndodhin në një segment rrugor të caktuar në katër –gjashtë korsi – nëse do të kemi rrugë me gjashtë korsi”.

Duke vijuar më tej Ministri tha se kjo pajisje do të jetë në funksion ditën dhe natën.

“Në mënyrë automatike e regjistron shkeljen dhe e çon në kohë reale në qendrën e përpunimit që ndodhet në Drejtorinë e Policisë Rrugore”, ravijëzoi Çuçi.

Gjatë kësaj dite kjo pajisje ka regjistruar për një orë 305 raste shkeljesh të përdoruesve të mjeteve.

“Të dashur përdorues mjetesh, kjo është një aparaturë që nuk të krijon mundësinë që t’i shpëtosh shkeljes, pavarësisht se mund të njohësh Ministrin, Kryeministrin, deputetin apo këdo qoftë”, theksoi ai.

Sipas Çuçit pajisja regjistron në mënyrë automatike targën me foto dhe me video. Më pas gjoba në bazë të këtij dokumenti të faktuar elektronikisht do i shkojë çdo drejtuesi mjeti aty ku ka deklaruar adresën e banesës.

Së bashku me Çuçin ishte dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili shtoi se gjoba do iu dërgohet shoferëve kundërvajtës brenda 30 ditëve nga konstatimi, përmes Postës Shqiptare.

Në rast shkeljeje të vazhdueshme të shpejtësisë, Çuçi tha se drejtuesit e mjeteve mund të rrezikojnë heqjen e patentës, sipas ndryshimeve të bëra në Kodin Rrugor.

Në përfundim të dy krerët dhanë dhe njëherë mesazhin se do të funksionojë “24 orë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore