Shqipëria

Nuk ka asnjë marrëveshje për furnizimin me ujë nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit, sipas Ministrisë së Turizmit


Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të martën e 21 qershorit në një njoftim zyrtar ka sqaruar opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me shtetin grek për furnizimin me ujë nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit.

“Nisur nga disa lajme të përhapura në media të ndryshme mbi një propozim/memorandum teknik të supozuar të furnizimit me ujë me transferim burimi nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit, sqaron: Nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as nuk ka pasur diskutime për një projekt të ngjashëm sipas lajmit të përhapur nga mediat”, theksohej nga MTM-ja.

Sipas kësaj të fundit pretendimet e ngritura janë të pavërteta dhe vuri në dukje se Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror” me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë.

“Kjo ka ardhur për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut”, vijonte sqarimi.

Ndërsa ravijëzoi se sipas raportimeve të mediave greke kryetari i Bashkisë së Korfuzit Verior, George Machimaris, ka ngritur çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria, për të përballuar mungesën e pritshme të ujit në dekadat e ardhshme në ishullin e Korfuzit.

“Më 25 maj kryebashkiaku dhe nënkryetari i bashkisë Hariton Kuçuri kanë hartuar një projekt të plotë me shifra të detajuara për transportimin përmes tubacioneve të posaçme të ujit të kristaltë nga Saranda në Korfuz”, shpjegon Ministria shqiptare.

Kjo e fundit e mbyll duke theksuar se, “draft propozimi i formuluar për miratim nga Këshilli Bashkiak është publikuar në site të pushtetit lokal të Korfuzit po aq edhe në median greke, ndërsa bëhet e ditur se këtë radhë kryebashkiaku grek ka marrë kontakte me sipërmarrës dhe institucione të ndryshme në Sarandë, pa ndarë detaje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore