Shqipëria

Noka për Albanian Post: Shoqata e bravave mund të nxjerrë njoftime, por jo në emër të PD-së


“Shoqata e bravave të bunkerit të Alcatraz-it paska njoftuar avancim me fushatën e përjashtimeve. Por, shoqata nuk përfaqëson demokratët dhe as Partinë Demokratike”.

Ka qenë ky reagimi i deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka, për Albanian Post mbi vendimin e përjashtimit të tij nga çdo funksion brenda kësaj force politike.

Më tej, Noka ravijëzoi se demokratët më datën 11 dhjetor kanë miratuar në Kuvendin Kombëtar ngritjen e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së, që i përfaqëson ata në çdo vendimmarrje.

“Shoqata mund të nxjerrë njoftime në media për këdo që ka nevojë për rregullime e ndërrime bravash, drynash, dyersh apo blindime dyersh, bunkerësh, por jo në emër të PD-së”, ka theksuar ai.

Vendimi i mbledhjes së Kryesisë së PD-së 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e Kryesisë së forcës politike gjatë mbrëmjes së 10 janarit, ka vendosur të përjashtojë nga Partia Demokratike, ish-kryetarin dhe bashkëthemeluesin e saj, Sali Berisha, së bashku me shtatë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.

Noka është në radhën e tetë anëtarëve të tjerë të përjashtuar.

Bujar Nishani, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja janë të përjashtuar.

Ndërkohë që disa emra të tjerë të rëndësishëm janë të pezulluar përkohësisht nga organet e demokratëve, si deputeti i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit të Rithemelimit, Edi Paloka, Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Edith Harxhi, Oerd Bylykbashi apo Tritan Shehu.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore