Lajme

Njoftimi i Nagavcit: Nga 80 euro për nxënësit – porse çfarë libra të blihen, konsultohuni me mësuesit


Arbërie Nagavci

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arbërie Nagavci, nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e saj në “Facebook” të enjten, pas   dështimit për t’i siguruar tekstet shkollore, ka udhëzuar prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se çfarë libra duhet të blejnë për nxënësit filloristë.

“Çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese, ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme, andaj ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë”, ka thënë ministrja Nagavci, ndërsa ka folur edhe për procesin e rimburësimit.

Në njoftimin e saj, ajo ka bërë me dije se të premten (nesër) do hapet aplikimi për rimburësimin e mjeteve për blerjen e librave të 227 mijë e 984 nxënësve filloristë, ndërsa paratë parashihet t’iu dalin prindërve në xhirollogaritë bankare që nga fillimi i javës së ardhshme.

“Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore. Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9, të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”.

Ministrja Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur më pak se 10 ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, vazhdimisht është munduar ta arsyetojë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Ata kanë pretenduar se me inciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platforës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadësh të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore