Kosova

Një tjetër e mitur dyshohet se u dhunua në Mitrovicë


Foto nga arkivi.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të shtunën është arrestuar një person në Mitrovicë, me dyshimin se ka dhunuar një vajzë të mitur.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer veprën e dhunimit ndaj viktimës femër kosovare- e mitur. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh.

Ndërsa është thënë se rasti po trajtohet si “dhunim”.

Më 24 nëntor edhe një e mitur ka raportuar në Policinë e Kosovës se në muajin tetor është dhunuar seksualisht nga një person.

Lidhur me rastet e dhunimit kishte reaguar edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut.

Përmes një komunikate për media ky Komision ka kërkuar që të shqiptohet dënim i miratuar për rastet e tilla.

“Rastet e fundit të dhunës seksuale në Kosovë, por edhe ky i fundmi i raportuar, i ndodhur në komunën e Ferizajit, është tronditës dhe si raste të tilla duhet të marrin dënimin e merituar ligjor dhe të pashtyeshëm”, është thënë nga ky Komision.

Sipas këtij komisioni është koha e fundit që luftimit të rasteve të tilla t’u jepet përgjigje dhe dënime të merituara e të bazuara në sistemin juridik të shtetit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore