Lajme

Një sulm ajror izraelit vret gazetarin palestinez dhe familjen e tij në Gaza


Një sulm ajror izraelit ka vrarë një gazetar që punonte për kanalin televiziv të Autoritetit Palestinez, si dhe 10 anëtarë të familjes.

Televizioni Palestinez ka akuzuar Izraelin për kryerjen e një “vrasjeje të qëllimshme” të Mohammed Abu Hatab teksa bombardoi shtëpinë e familjes së tij në Khan Younis të Gazës, në jug të territorit.

Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur të enjten e 2 nëntorit.

“Kolegu ynë Mohammed Abu Hatab ra si martir së bashku me anëtarët e familjes së tij në një bombardim izraelit kundër shtëpisë së tij në Khan Younis”, ka bërë me dije stacioni televiziv në një deklaratë të transmetuar nga agjencia palestineze e lajmeve Wafa.

Burimet në Spitalin Nasser në Khan Younis kanë thënë se të paktën 11 persona u vranë në sulm.

Në deklaratë thuhet se një sulm ajror goditi banesën e Abu Hatab menjëherë pas mbërritjes së tij.

Dhe se sulmi është “një mesazh i përgjakshëm për të terrorizuar gazetarët palestinezë”, që synon t’i ndalojë ata “të përcjellin vuajtjet e popullit palestinez dhe të ekspozojnë krimet e okupimit”.

Kanali ka shtuar se do të vazhdojë të kryejë detyrën e tij “pavarësisht sa të mëdha janë sakrificat dhe sado krime që shteti pushtues kryen ndaj gazetarëve tanë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore