Shqipëria

Një “mal me punë” për Luçiano Boçin nëse zgjidhet kryebashkiak i Elbasanit


Elbasani është një ndër bashkitë ku gara politike për zgjedhjet lokale të 14 majit parashikohet të jetë mjaft e fortë.

Në përballje janë dy kandidatë. Njëri lufton për mandatin e dytë, ndërsa tjetri pretendon të rrok drejtimin për herë të parë.

Bëhet fjalë për kryetarin aktual të bashkisë, Gledian Llatja, dhe alternativën e koalicionit “Bashkë fitojmë” Luçiano Boçi.

Ky i fundit, një emër i njohur nga politika. I zgjedhur katër herë deputet i Partisë Demokratike, kësaj here do të provojë të  veshë “petkun” e kryebashkiakut.

Por pse qytetarët duhet të zgjedhin Boçin?

Në një prononcim për Albanian Post ai ka zbuluar vizionin dhe atë çfarë do të ofrojë nëse zgjidhet në krye, për të drejtuar këtë bashki.

Për të, Elbasani do të jetë pjesë e hapësirës ekonomike Tiranë – Elbasan Durrës – ku sot prodhohet 65% e GDP-së si dhe qendër e Ekonomisë së Re dhe Zhvillimit Teknologjik.

“Mbi të gjitha, në vizionin tim Elbasani do të jetë një Destinacion turistik kombëtar. Misioni ynë është: Ta ringjallim qytetin për t’u dhënë të rinjve shanse të besueshme për të qëndruar, për të jetuar, për të krijuar familje dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu. Kolonat kryesore mbi të cilat mbështetet siguria jonë për të ardhmen janë Demokracia Direkte dhe Zhvillimi Ekonomik”.

Në atë çfarë ofrohet, shpesh medalja ofron dy anë. Në këtë rast ka avantazhe dhe disavantazhe.

Kryesorja për Boçin, është ndërtimi i një bashkie që u përket banorëve dhe qeveriset prej tyre.

Për ta bërë të mundur, ai premton se do të ketë një “kontratë qeverisëse”.

“Unë dhe këshilli bashkiak do të nënshkruajmë menjëherë pas zgjedhjeve Protokollet Qytetëse të cilat parashikojnë që Qytetarët, përfshi diasporën – të votojnë online çdo projektvendim. Rezultati i votës qytetare do të shpallet publikisht, përpara se Këshilli bashkiak të hyjë në votim”, tregon ai për AP-në.

Dhe për këtë, ai ofron disa mundësi: përmes peticioneve me tre mënyra.

“1% e banorëve do ta detyrojnë Këshillin Bashkiak të mblidhet dhe të diskutojë çdo çështje me interes publik, 5% e banorëve mund të kalojnë në votim të Këshillit Bashkiak çdo Propozim të tyre, 25% e banorëve mund të rrëzojnë çdo vendim të Këshillit Bashkiak dhe ta kthejnë atë për rivotim”.

Akademiku, ka në qendër dhe ekonominë. Madje e ka konsideruar si “zemrën e lirive tona”.

Në këtë kuptim Bashkia e re do të krijojë 9 shoqëri me kapital të përbashkët për të krijuar të paktën 2 mijë e 500 vende të reja pune. E përsëris se shtyllat për ringritjen dhe rritjen e shpejtë ekonomike të Elbasanit janë: arsimi, kultura, mikëpritja unike, artizanati, histori tregtare dhe pjelloria e tokës”.

Megjithatë, përpos programit, shpesh qytetarët kërkojnë përparësi. Përparësi të një alternative, edhe për ta krahasuar me një tjetër.

“Unë kam një alternativë”, thotë Boçi për Albanian Post, duke shtuar se “kundërshtarët e mi nuk kanë një të tillë”.

Sipas tij, alternativa e vetme e kundërshtarit është “që nuk lejon kandidatin e tij as të flasë madje: për të flet kryeministri dhe një i emëruar politik nga qendra”.

“Propozimi I tyre është një këngë tallavaje që me ndotje akustike të mbysin çdo debat duke krijuar alibinë se meraku më i madh i shqiptarëve është ahengu. Në fakt është buka e gojës. Formula Uno i propozohet një bashkie që nuk ka bypass, që ka 50% të rrugëve të pashtruara dhe nuk ka as sinjalistikë rrugore në qytet. Alternativa e kundërshtarëve të mi është se do të sjellin në Elbasan 100 mijë veta për çdo event të Formula Uno-s, ndërkohë që krejt qyteti i Elbasanit ka humbur mbi 30% të njerëzve duke u rrudhur në më pak se 80 mijë banorë”.

Nga ana tjetër, ish-deputeti prezanton një “listë premtimesh”, madje thekson se lista do të ishte edhe shumë më e gjatë se kaq.

Ai ravijëzon për AP-në se projektet që ka propozuar janë “të shumta, por janë që të gjitha të realizueshme”.

Kandidati opozitar premton ngritjen e Teknopolis- Parku Teknologjik Universitar që do të përfshijë 100 -150 kompani të reja. “Qyteti i Filmit”, është një tjetër titullim i pikës së programit.

Përpos këtyre, synim sipas tij është që të tërheqin në Elbasan 20% të turistëve që vijnë në Shqipëri.

Gjithashtu, kryefjalë do të jetë arsimi, bizneset – veçanërisht ato të reja, ndërtimet, si dhe taksimi.

“Kemi një mal me punë për të bërë në lidhje me përmirësimin, zgjerimin, përshtatjen ndaj nevojave të rrjetit të shkollave, kopshteve, çerdheve, qendrave shëndetësore. Kemi një mal me çështje për të zgjidhur mbi probleme të trashëguara në infrastrukturë dhe shërbime. Kemi një buxhet të vogël, por kemi çdo vullnet për ta administruar atë mirë, ndershëm, bukur”.

Teksa 14 maj po troket, kandidati e ka shtruar terrenin. Tashmë, çdo gjë i përket elektoratit…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore