Lajme

Një burrë që kërcënoi Biden u vra nga FBI-ja


Një burrë i vëzhguar prej disa muajsh nga autoritetet amerikane për kërcënime ndaj Joe Biden u qëllua për vdekje të mërkurën e 9 gushtit nga FBI-ja (Byroja Federale Investigative – ed.) në Utah.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP” dhe multimediali britanik “BBC”.

Incidenti i rëndë u regjistrua disa orë përpara një vizite të planifikuar nga shefi i Shtëpisë së Bardhë në këtë shtet perëndimor.

Sipas AFP-së, policia federale thotë se një i dyshuar u vra kur oficerët u përpoqën ta arrestonin në Provo, në jug të Salt Lake City.

Pas ngjarjes kanë nisur hetimet, shtoi FBI-ja pa dhënë detaje mbi individin.

Ky i fundit u identifikua si Craig Robertson në një ankesë nga prokurorët federalë në Utah.

Sipas këtij dokumenti, shkruan AFP-ja, ai ishte një 70-vjeçar, i cili u paraqit si një mbështetës i zjarrtë i ish-presidentit Donald Trump dhe e kishte kërcënuar vazhdimisht Joe Biden në publikimet në rrjetet sociale.

Zëvendës presidentja Kamala Harris, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland dhe prokurori Alvin Bragg – i cili mbikëqyri hetimin që çoi në një padi ndaj Donald Trump në New York – janë kërcënuar gjithashtu, ashtu si edhe vetë agjentët e FBI-së.

Presidenti Biden po viziton aktualisht Shtetet e Bashkuara perëndimore dhe do të udhëtojë më vonë të mërkurën në Salt Lake City.

Shërbimi Sekret, përgjegjës për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë, tha se ishte “në dijeni të hetimit të FBI-së që përfshinte një individ në Utah i cili kërcënoi një person të mbrojtur nga Shërbimi Sekret”, por nuk dha detaje shtesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore