Lajme

Një burrë në Indi vdes nga ataku në zemër teksa shikonte “Avatar 2”


Një burrë në Indi vdiq nga një atak në zemër teksa shikonte filmin e ri të James Cameron, “Avatar: The Way of Water”.

Incidenti ndodhi në lagjen Kakinada të shtetit jugor Andhra Pradesh, ku një burrë i identifikuar si Lakshmireddy Srinu u rrëzua brenda një kinemaje.

Siç raportojnë mediat lokale, Srinu ishte me vëllain e tij më të vogël kur u rrëzua në mes të filmit dhe u deklarua i vdekur nga mjekët pasi u dërgua në Spitalin Qeveritar Peddapuram.

Duke folur për këtë rast, drejtori i Spitalit Fortis, Noida, Doktor Sanjeev Gera, tha për “Hindustan Times” se “pas COVID-it ka një inflamacion të vazhdueshëm në enët tona të gjakut”.

“Për shkak të stresit, rritjes së presionit të gjakut si ajo që ndodhi në këtë rast, arteriet e zemrës mund të ishin këputur dhe kjo mund të shkaktojë arrest të papritur kardiak”, shpjegoi mjeku indian.

Sipas tij, këto lloj vdekjesh ndodhin gjatë ndeshjeve emocionuese ose situatave emocionale.

“Filmi në vetvete nuk ka gjasa të ketë shkaktuar vdekjen”, shtoi ai.

Kjo nuk është hera e parë që një person vdes duke parë një film Avatar.

Sipas “Wion News”, një burrë 42-vjeçar në Tajvan vdiq nga një atak në zemër ndërsa shikonte pjesën e parë të Avatar në vitin 2010.

Burri kishte një histori të presionit të lartë të gjakut dhe “kënaqësia e tepërt nga shikimi i filmit” shkaktoi vdekjen e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore